Në prag të ndërrimit të viteve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përcjellë një urim të ngrohtë për të gjithë shqiptarët, duke reflektuar mbi sfidat e vitit 2024 dhe duke ndarë shpresat e saj për vitin 2025.
“ Viti 2024 ka qenë një vit i vështirë për ekonominë, për xhepat e shqiptarëve, për familjet dhe për shumëkënd ,” tha Tabaku në mesazhin e saj.
Ajo vuri theksin tek rritja e çmimeve dhe ulja e të ardhurave familjare, që kanë rënduar jashtëzakonisht mbi jetën e qytetarëve.
Sipas saj, vitin që lamë pas, pensionistët, mbi 800 mijë vetë, mezi kanë arritur të mbulojnë shpenzimet mujore, duke jetuar pa dinjitetin që meritojnë.
Edhe rinia shqiptare, tha Tabaku, është përballur me vështirësi të shumta, duke u përballur me kushte të përkeqësuara në arsim dhe mungesë mundësish për të ndërtuar të ardhmen e tyre brenda vendit.
“ 2024 ka qenë gjithashtu një vit i vështirë për shtresën e mesme, për profesionistët e lirë, për mjekët, për inxhinierët dhe për shumë sektorë të tjerë që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, ” theksoi ajo.
Por pavarësisht këtyre sfidave, Tabaku përcolli një mesazh shprese dhe rizgjimi për të ardhmen. Ajo theksoi se 2025 duhet të jetë viti i ndryshimit, i ringritjes dhe i shpresës për të gjithë shqiptarët.
“Shpresa ime është për më shumë kohë për familje, më shumë mundësi për t’u ringritur, më shumë të ardhura dhe më shumë dinjitet për çdo qytetar, ” tha Tabaku, duke theksuar se ndryshimi mund të vijë vetëm përmes forcimit të institucioneve dhe politikave të drejta.
Deputetja e Partisë Demokratike ftoi qytetarët të bashkohen për një qëllim të përbashkët: rikthimin e Shqipërisë në vendin që meriton.4
“Me punë të ndershme dhe përpjekje të përbashkëta, ne mund t’ia dalim të ndryshojmë sistemin dhe të sigurojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë,” deklaroi ajo.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Tabaku shprehu edhe një reflektim personal për vitin që vjen, duke premtuar përpjekje të shtuara për të bërë më shumë dhe më mirë.
“Jam e përkushtuar që të punoj për të sjellë ndryshim të vërtetë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.”
Urimi i saj përfundoi me një mesazh të fuqishëm: “Gëzuar 2025! Qoftë viti i ndryshimit, i shpresës dhe i familjes për të gjithë shqiptarët!”