Një incident shqetësues ka prishur festimet e natës së ndërrimit të viteve në Tiranë, gjatë koncertit të organizuar në një klub nate në kryeqytet.
Eventi, i cili kishte të ftuar artistë të njohur shqiptarë u ndërpre nga të shtëna të papritura me armë që pasuan një sherr të ndodhur po aty.
Të shtënat shkaktuan panik dhe kaos mes të pranishmëve, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur të shtënat ndodhën brenda ambienteve të klubit Cinco Cavalli, gjatë performancës së reperit Stresi.
Këngëtari u detyrua të ndalonte këngën dhe të largohej menjëherë nga skena pas të shtënave, ndërsa vetëm ditën e sotme policia e Tiranës ka njoftuar se ka identifikuar autorin e të shtënave.
Blutë bëjnë me dije se pas ngjarjes u shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas, të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
“Në vijim të hetimeve dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, por për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij”, thotë policia.