Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, qëllohet me pistoletë ndaj një automjeti


Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar sot në qytetin e Shkodrës.

Burime bëjnë me dije se policia ka shkuar në vendngjarje për të hetuar rrethanat e ngjarjes. Nuk raportohet për persona të lënduar.

Mësohet se është qëlluar me pistoletë në drejtim të një automjeti të parkuar në sheshin  Rus të Shkodrës.

Automjeti është në pronësi të shtetasit Elvis Hoxha. Në automjetin ndaj të cilit u qëllua janë gjetur katër plumba pistolete.

Burime bëjnë me dije se autori dyshohet se ka shkuar në vendngjarje me një motor dhe pasi ka qëlluar është larguar në drejtim të paditur.

Policia po punon për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e tij. Por autori nuk ka vepruar i vetëm.

Përmes një njoftimi zyrtar policia tha se ka ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorit dhe bashkëpunëtorit, pasi dyshohet se autori ishte në motor me një person tjetër i cili drejtonte motomjetin.

“Janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohen kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jenë fshehur autori dhe bashkëpuntori i tij, drejtuesi i motomjetit”, njoftojnë blutë e Shkodrës.

 

Njoftimi i policisë

 

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 20:10, në lagjen Partizani, në Sheshin Rus, nga një person që qarkullonte me një motomjet pa targa është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Peugeot të parkuar, në pronësi të shtetasit E. H.

Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjetin e shtetasit E. H., si dhe dëmtime të lehta dhe në një automjet të parkuar afër automjetit tip Peugeot.

Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit dhe të drejtuesit të motomjetit që lëvizte autori.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohen kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jenë fshehur autori dhe bashkëpuntori i tij, drejtuesi i motomjetit.