Gjykata e Apelit e GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ky vendim ka shkaktuar reagime nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili ka cilësuar këtë masë si “të çuditshme” dhe ka akuzuar Prokurorinë për motive politike.
Gjokutaj theksoi se vendimi i gjykatës është i paqartë dhe se Prokuroria kishte kërkuar vetëm masën e “arrestit shtëpie”. Ai shprehu dyshime për pavarësinë e institucioneve, duke thënë se kjo gjykatë nuk është më pak e kapur se Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata e Apelit e GJKKO vendosi zëvendësimin e masës. Ne jemi të paqartë për këtë vendim. Prokurori kërkonte vetëm që të merrej masa “arrest shtëpie”.
Kjo gjykatë nuk është më pak e kapur se Gjykata Kushtetuese. Vijmë prapë në krye të herës te kjo histori. Vendimi nuk është zbardhur.
Ky vendim është zgjidhja më e keqe që i është dhënë ndonjëherë, se nuk ka zgjidhur asnjë problem. Prokuroria në mënyrë arbitrare është nisur nga qëllime politike të ditës, duke zhdukur konceptin e “arrestit në shtëpi”. Ky është vendim i çuditshëm, por duhet ta lexojmë këtë vendim”, u shpreh Gjokutaj.