Vendosni fjalën kyçe....

Biden planifikon t’i dërgojë Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë


Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin për një shitje të planifikuar armësh prej 8 miliardë dollarësh Izraelit, ka konfirmuar një zyrtar amerikan për BBC.

Ngarkesa e armëve, që ka nevojë për miratim nga komitetet e Dhomës dhe Senatit, përfshin raketa, predha dhe municione të tjera.

Lëvizja vjen pak më shumë se dy javë përpara se presidenti Joe Biden të largohet nga detyra. Uashingtoni ka hedhur poshtë thirrjet për të pezulluar mbështetjen ushtarake për Izraelin për shkak të numrit të civilëve të vrarë gjatë luftës në Gaza.

Në gusht, SHBA miratoi shitjen e 20 miliardë dollarëve Izraelit, që përfshinte avionë luftarakë dhe pajisje të tjera ushtarake.

Dërgesa e fundit e planifikuar përmban raketa ajër-ajër, raketa Hellfire, predha artilerie dhe bomba, tha zyrtari amerikan.

Një burim i njohur me shitjen i tha BBC-së të shtunën: “Presidenti e ka bërë të qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë qytetarët e tij, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të pengojë agresionin nga Irani dhe organizatat e tij përfaqësuese. Ne do vijojmë të ofrojmë aftësitë e nevojshme për mbrojtjen e Izraelit.”

SHBA është deri tani furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin, duke e ndihmuar atë të ndërtojë një nga ushtritë më të sofistikuara teknologjikisht në botë.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA përbënin 69% të importeve të Izraelit për sa u përkte armëve kryesore konvencionale midis  viteve 2019 dhe 2023.

Izraeli nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit të paparë të grupit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Më shumë se 45,580 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorine qeverisur nga Hamasi.