Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka reaguar ashpër ndaj masës “detyrim paraqitje” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e cilësuar këtë si një vendim absurd dhe të pa mbështetur nga ligji.
Në një postim në rrjetin e saj social, Topalli shprehet se ky akt është një “vendim politik” dhe një sfidë ndaj logjikës juridike dhe parimeve themelore të drejtësisë.
Sipas Topallit, ky vendim është një absurd juridik që sfidon shtetin ligjor, duke theksuar se Berisha është arrestuar pa akuza dhe ka kaluar 333 ditë në arrest shtëpie në shkelje të Kushtetutës.
Ajo thekson gjithashtu se procesi ka nisur nga një ministër i qeverisë aktuale dhe bazohet në një VKM të miratuar 20 vjet më parë.
Reagim i i plotë:
Një vendim absurd nga drejtësia e politizuar
Dje kemi qenë dëshmitarë të një tjetër vendimi politik nga sistemi i drejtësisë: detyrimi për paraqitje ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës. Ky është një akt që sfidon logjikën juridike dhe parimet themelore të drejtësisë.
Ky vendim, i marrë kur hetimet janë mbyllur, nuk është thjesht i pa mbështetur ligjërisht; ai është një absurd juridik që sfidon çdo parim të shtetit ligjor.
Në fakt, absurdi ka shoqëruar çdo fazë të këtij procesi politik.
• Berisha është arrestuar pa akuza.
• Kryetari i opozitës është mbajtur në arrest shtëpie për 333 ditë, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
• Është dënuar nga një gjyqtare e shkarkuar për korrupsion nga vetë Presidenti Berisha.
• Procesi ka nisur nga një ministër i qeverisë aktuale.
• Bazohet në një VKM kolegjiale të miratuar 20 vite më parë.
Me vetëm 4 muaj nga zgjedhjet, është e pamundur të mos e lidhim këtë proces me fushatën elektorale dhe përdorimin e drejtësisë nga pushteti aktual. Kjo është një “gjueti shtrigash” e orkestruar për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Ironikisht, duke ndjekur këtë rrugë të gabuar, kundërshtarët e tij po e shndërrojnë Sali Berishën në një figurë të persekutuar padrejtësisht, e cila në vend që të dobësohet, fiton mbështetje dhe solidaritet. Historia ka treguar se padrejtësitë vetëm i forcojnë figurat si Berisha dhe i rrënjosin më thellë në ndërgjegjen publike.
“Kur drejtësia bëhet e politizuar, ajo humbet çdo lidhje me ligjin dhe shndërrohet në një mjet të pushtetit, duke cenuar themelet e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.”
Drejtësia e politizuar nuk është drejtësi!