Vendosni fjalën kyçe....

Dy javë para largimit, Biden vlerëson me medaljen më të lartë Hillary Clinton-in, George Soros-in e Messi-n (Lista)


Presidenti Joe Biden do i japë Medaljen e Lirisë një grupi artistësh, ish-zyrtarësh qeveritarë, atletësh dhe filantropistësh për kontributet e tyre në shërbimin publik.

Nëntëmbëdhjetë persona do nderohen në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë të shtunën. Takimi është një nga shumë të tillët që Biden ka mbajtur javët e fundit të mandatit të tij presidencial ndërsa përpiqet të përjetsojë trashëgiminë e tij.

Ndër ata që do marrin medaljen janë ish-sekretarja e Shtetit dhe senatorja demokrate Hillary Clinton, ish-ylli i basketbollit Earvin “Magic” Johnson, dizajneri i modës Ralph Lauren, futbollisti Lionel Messi, filantropi George Soros, redaktorja e modës dhe drejtore ekzekutivja e medias Anna Wintour dhe aktori i Hollivudit Denzel Washington.

Medalja Presidenciale e Lirisë është nderimi më i lartë civil i vendit, i dhënë individëve që kanë dhënë “kontribute të shquara për prosperitetin, vlerat ose sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen botërore, ose përpjekje të tjera të rëndësishme shoqërore, publike ose private,” sipas Shtëpisë së Bardhë.

Joe Biden, djathtas, me Liz Cheney gjatë një ceremonie për Medaljen Presidenciale të Qytetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 2 janar

Edhe pse Medalja e Lirisë nuk është menduar të jetë partiake, të nderuarit mund të pasqyrojnë prirjet politike të një presidenti. Clinton, kandidatja demokrate për president në 2016, konkurroi kundër Donald Trump, i cili është gati të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Soros është një mbështetës i shquar i kauzave dhe kandidatëve liberalë.

Ndërsa Robert F. Kennedy, ish-prokurori i përgjithshëm dhe senator amerikan, do nderohet pas vdekjes, pikërisht kur i biri i tij është zgjedhur nga Trump për të mbikëqyrur politikat e shëndetësisë publike.

Në mandatin e parë të Trump, ai i dha medaljen prezantuesit konservator të radios, Rush Limbaugh dhe donatores republikane Miriam Adelson.

Të tjerë të nderuar të shtunën përfshijnë kuzhinierin me origjinë spanjolle Josė Andrės, themeluesin e World Central Kitchen, të cilin Shtëpia e Bardhë e përshkroi si një organizatë që “revolucionarizoi mënyrën se si ndihma ushqimore arrin të komunitetet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe konfliktet në mbarë botën.”

Michael J. Fox, aktori më i njohur për filmin “Back to the Future,” u nderua për ndihmën e tij për kërkimet lidhur me sëmundjen Parkinsoni; William Nye, i njohur si “Bill Nye the Science Guy,” për nxitjen e arsimit shkencor; David Rubenstein, bashkëthemeluesi i Carlyle Group, për përkushtimin e tij për restaurimin e monumenteve; dhe këngëtari Bono për aktivizmin e tij kundër AIDS.

Tim Gill, themeluesi i kompanisë së softuerit Quark, u veçua për ndihmën e tij në “sigurimin e fitoreve kyçe në luftën për barazinë në martesë dhe mbrojtjet kundër diskriminimit,” sipas Shtëpisë së Bardhë. Regjisori George Stevens Jr., themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit, u vlerësua për “idealet amerikane të barazisë racore dhe drejtësisë për gjysmë shekulli.”

Michael J. Fox performon në skenë në eventin “A Funny Thing Happened On The Way To Cure Parkinson’s” në Qytetin e Nju Jorkut në nëntor 2024

Biden do t’i japë medaljen gjithashtu primatologes dhe mbrojtëses së mjedisit Jane Goodall.

Biden gjithashtu nderoi pas vdekjes Ashton Carter, ish-Sekretar i Mbrojtjes në administratën Obama; Fannie Lou Hamer, e cila hodhi themelet për Ligjin për të Drejtat e Votimit në vitin 1965; dhe George Romney, ish-kryekonsull i një kompanie automobilistike, ish-Guvernatori republikan i Michigan dhe ish-sekretar i Zhvillimit Urban dhe të Banesave.

Presidenti të premten i dha Medaljen e Nderit shtatë ish-ushtarëve të Ushtrisë Amerikane dhe Medaljen e Trimërisë tetë oficerëve të sigurisë publike për veprat e tyre.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani