Vendosni fjalën kyçe....

Dorëhiqet kancelari austriak, forcohen pozitat e së djathtës ekstreme


Kancelari austriak Karl Nehammer tha se do japë dorëheqjen pas dështimit të bisedimeve me dy partive më të mëdha të qendrës për formimin e një qeverie koalicioni pa Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë.

Njoftimi i Nehammer të shtunën erdhi një ditë pasi partia liberale NEOS u largua nga bisedimet e koalicionit, duke minuar përpjekjet për të bllokuar ngritjen e së djathtës ekstreme.

NEOS përmendi buxhetin dhe konkurrencën si pika ngecëse me Partinë Popullore Austriake (ÖVP) të qendrës së djathtë të Nehammer dhe Partinë Social Demokratike të qendrës së majtë (SPÖ).

“Ne kemi biseduar ndershmërisht dhe për një kohë të gjatë,” tha Nehammer në një deklaratë në X të shtunën.

“Asnjë marrëveshje nuk është e mundur me SPÖ për pikat kyçe,” shtoi ai.

“Partia Popullore i qëndron premtimeve të saj: ne nuk do pajtohemi me masa që janë armiqësore ndaj përfitimeve dhe biznesit, as ndaj taksave të reja”, tha Nehammer.

“Prandaj ne po i mbyllim negociatat me SPÖ-në”, tha ai.

“Do dorëhiqem si kancelar dhe si udhëheqës i Partisë Popullore në ditët në vijim dhe do mundësoj një kalim të rregullt të pushtetit”, tha Nehammer.

Dështimi i bisedimeve, të cilat zyrtarisht filluan në nëntor, do forcojnë pozitat e Partisë së Lirisë (FPÖ), e njohur për qëndrimet kundër emigrantëve, që u ngjit në vendin e parë në zgjedhjet kombëtare të shtatorit, por që është bllokuar nga formimi i një qeverie, pasi të gjitha partitë e tjera të mëdha kundërshtojnë të punojnë me të.