Nga Habjon Hasani
Kryeministri Edi Rama dyshohet se ka firmosur një vendim të falsifikuar të Agjencisë së Territorit (AZHT) të cilin ja kanë vendosur mbi tryezë kryetarja e AZHT-së Adelajda Roka dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku. Vendimi bën fjalë për shfuqizimin/abrogimin e lejeve të zhvillimit të disa prej projekteve më kryesore të vendit, ku në listë përfshihet dhe Aeroporti i Kukësit apo dhe Porti i Limionit.
Kapja e këtij dokumenti ka qenë një aksident, një rastësi, por le ta tregojmë historinë ashtu siç nisi.
Në Dhjetor 2024 një kompani ndërkombëtare lider në sigurinë e aviacionit civil, vlerësoi mundësinë e operimit në Shqipëri.
Për këtë arsye kompania ndërkombëtare u kërkoi partnerëve shqiptarë të bënin “due-dilligence” dhe fizibilitet për statusin dhe mundësitë që ofronin sidomos Aeroporti i Vlorës dhe ai i Kukësit.
Partnerët shqiptarë angazhuan inxhinierë dhe specialistë të sprovuar për të hartuar raportin.
Mirëpo sapo inxhinierët nisën nga puna, u përballën me një problem të çuditshëm.
Rezultonte se Aeroportit të Kukësit i ishte hequr fare leja e zhvillimit, nëpërmjet një vendimi të panjohur të AZHT-së, ku shfuqizimi i lejes së këtij aeroporti ishte bërë së bashku me shfuqizimin e 6 lejeve të tjera për resorte e godina, të gjitha të grupuara në atë që quhej “Lista 1” e vendimit.
Bëhet fjalë për këtë vendim me nr.11 të AZHT-së (klikoje këtu) që rezulton i shpallur që më datën 29 Maj 2024.
Por ndonëse ky vendim rezulton i shpallur që në datën 29 Maj, madje i renditur në arkivën elektronike të muajit Maj 2024 në faqen online të AZHT, brendia e tij sugjeron se vendimi është firmosur nga kryetarja e AZHT-së Adelajda Roka më datën 28 Tetor 2024. Pra AZHT-ja ka konceptuar dhe firmosur më 28 Tetor një vendim, të cilin më pas e ka paraqitur si vendim të muajit Maj.
Ky truk është ndoshta dhe arsyeja pse asnjë media nuk ka patur mundësinë ta gjente këtë vendim, pasi kur gazetarët kanë kërkuar vendimet e reja në Maj, ky vendim nuk ekzistonte, kur gazetarët kërkonin vendimet e Tetorit, ky vendim ishte spostuar te arkiva e Majit.
Por surpriza e vërtetë është lista e 7 projekteve që sipas këtij vendimi u hiqet leja e zhvillimit, e etiketuar si “Lista 1.”
Në fillim inxhinierët verifikuan pikën 5 të listës, e cila korrespondonte me projektin për aeroportin e Kukësit.
Në listë ishte referenca për lejen e zhvillimit të dhënë Aeroportit të Kukësit me nr.vendimi 06, datë 17 Maj 2019. Por ky numër vendimi i AZHT-së nuk korrespondon fare me Aeroportin e Kukësit, pasi ky vendim specifik rezulton se është hartuar nga AZHT-ja për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, zero lidhje me lejen e zhvillimit të Aeroportit të Kukësit.
Por ndoshta ky ishte një lapsus, ndaj inxhinierët verifikuan përkimin dhe saktësinë e një tjetër vendimi që ndodhej në Listën 1.
E vijuan verifikimin me projektin e parë të renditur në listë, e cila bën fjalë për lejen e zhvillimit për projektin e Portit të Limionit.
Për çudinë e inxhinierëve dhe numri i lejes së zhvillimit të Portit të Limionit nuk korrespondonte me numrin që paraqitej në vendimin dhe Listën 1 të firmosur nga Adelajda Roka, Belinda Balluku dhe Edi Rama.
Vendimi që në listë paraqitej si leje zhvillimi për Portin e Limionit, në të vërtetë përkonte me një tjetër vendim të AZHT-së, që lidhej me Metalurgjikun e Elbasanit, zero lidhje me portin e Limionit.
Njësoj vijoi verifikimi dhe me 5 pikat e tjera të Listës 1. dhe rezultoi se numrat e lejeve të zhvillimit të renditura në këtë listë, ose përkonin më projekte të tjera, ose nuk ekzistonin fare në arkivën online.
Fakti që në të 7 projektet e paraqitura në Listën 1., nuk korrespondon asnjë numër leje zhvillimi, ngre dyshime se mund të mos kemi të bëjmë me lapsuse por me një proces të ngutshëm falsifikimi.
Një përpjekje për të kuptuar
Për një raportim sa më të ekuilibruar Hashtag.al i drejtoi pyetje zyrtare AZHT-së nëpërmjet dy e-mail-eve, ndërsa mbajti zyrtarisht në dijeni dhe Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me këtë korrespondencë.
Pyetjet zyrtare të nisura me e-mail nga Hashtag.al mund t’i lexoni këtu dhe këtu, ndërsa vlen të theksohet se deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga ana e këtij institucioni.
E megjithatë, pyetjet që ngre një vendim i hartuar me pasaktësi absolute, i firmosur ngë shefja e Agjencisë së Territorit, nga zv/kryeministrja dhe kryeministri, janë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë po ndodh.
Si rregull ka dy skenarë logjikë:
a) Janë lapsuse dhe gafa absolute, s’ka falsifikim.
b)Është process i ngutshëm falsifikimi.
Le t’i shqyrtojmë me radhë.
Imagjinoni një shtet ku numri personal në pasaportë ose numri personal i kryeministrit të korrespondonte me një emër tjetër që nuk është kryeministri.
Fjala vjen, imagjinoni një pasaportë ose kartë identiteti ku numri personal i identifikimit është i Edi Ramës, emri në pasaportë është i Xhelal Mziut, ndërsa fotoja në pasaportë e Elena Kaçes.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se kanë rënë absolutisht të gjitha garancitë e sistemit, nuk ekziston fare sistemi si garantues ligjor dhe hierarki shtetërore, jemi në atë që quhet si “gjendja natyrore e neandertalit”.
Fiks e njëjta gjë ka ndodhur me vendimin nr.11. të 29 Majit 2024, pasi lista e lejeve të zhvillimit që rendit ky vendim, është totalisht e gabuar, projektet që referon vendimi janë absolutisht të pasakta, përplasen dhe mbivendosen me të tjera projekte, sistemi ka rënë.
Në skenarin logjik a) kur kjo shkresë nënkupton lapsuse dhe gafa njerëzore të zyrtarëve të AZHT-së, mund të nxjerrim menjëherë disa konkluzione të shpejta:
a1- Administrata dhe drejtoresha e AZHT-së kanë prodhuar një vendim të rremë si pasojë e paaftësisë duke implikuar zv/kryeministren Balluku dhe Kryeministrin.
a2 – Zv/kryeministrja Balluku nuk ka asnjë filtër dhe asnjë aftësi për të verifikuar dhe garantuar saktësinë e vendimeve të AZHT-së.
a3 – Kryeministri Rama është vënë në lojë nga dy vartëset e tij duke firmosur “fap e fap” vendimin që e bën atë, ndoshta të vetmin kryeministër të Evropës që ka firmën e tij mbi një dokument totalisht të pasaktë. Një monument i vërtetë i shkërrmoqjes së sistemit dhe garancive ligjore.
Këto tre pika janë minimumi që mund të thuhen mbi faktet e konstatuara. Pasi jemi në variantin se gjithçka është gafë dhe lapsus njerëzor, pra paaftësi.
Në variantin b), falsifikim i qëllimshëm, na duhet të marrim parasysh disa variabla, që lidhen me shtysat dhe motivet që do detyronin drejtoreshën e AZHT-së të prodhonte një dokument me vendime të falsifikuara të lejeve të zhvillimit.
Pyetja e parë që shtrohet është nëse kanë ekzistuar ndonjëherë lejet e zhvillimit për këto projekte të renditura në listë dhe pse drejtoreshës së AZHT-së i duhej një vendim fals për kinse shfuqizimin e këtyre lejeve që deri në këtë moment mund të mos ekzistojnë fare?
Disa prej projekteve në listë janë aktualisht në sitën e prokurorisë speciale dhe ky vendim me të dhëna false, mund të jetë i lidhur me ndonjë procedurë justifikuese që lidhet më këto hetime.
Është tepër e vështirë të besosh se kryeministri Rama do kishte hedhur firmën mbi këtë vendim nëse do e dinte paraprakisht se lista e lejeve të zhvillimit që ai po shfuqizonte ishte fiktive dhe e falsifikuar. Gjasat janë që Rama është vënë në lojë nga vartëset e tij.
Nga ana tjetër, dihet shumë mirë se si Edi Rama u rri në kokë atyre projekteve që ai i ka prioritet dhe nuk do ishte çudi që presioni i tij dhe këmbëngulja e tij të ketë shtyrë AZHT-në ose ndoshta dhe Ballukun të çojnë para këto projekte duke injoruar procedurat ligjore, përfshirë dhe lejet e zhvillimit.
Por nëse prokuroria speciale në një moment konstaton këto injorime, të tre ata kanë një problem ligjor.
Ndaj në kushtet kur prokuroria konstaton se ti nuk ke fare leje zhvillimi për projekte madhore, cila do ishte rrugëdalja më e thjeshtë?
Ndoshta do ishte hartimi një vendim fiktiv sikur janë shfuqizuar ato leje, ndonëse vendimi do jetë absolutisht i mbushur me falsifikime, pasi ti nuk mund të shfuqizosh dot diçka që nuk e ke fuqizuar ndonjëherë.
Nëse do ishim në këtë skenar, me siguri që kryeministri nuk ka kohë të merret me detajet, ai zakonisht në këto raste thotë vetëm një fjalë: Zgjidheni.
Me sa duket zgjidhja ka qenë ky vendim firmosur nga Adelajda Roka më 28 Tetor dhe i shpallur në 29 Maj, vendim i cili i është servirur Edi Ramës në tryezë, e të cilin Rama duket se e ka firmosur “fap e fap” ndoshta pa e ditur se do bëhej i vetmi kryeministër në Evropë që ka hedhur firmën mbi një dokument të mbushur me falsifikime, duke noterizuar me dorën e tij rënien e sistemit të garancive ligjore në Shqipëri. / Hashtag.al