Vendosni fjalën kyçe....

Mali i Zi shqyrton ndalimin e armëve pas masakrës me 12 të vrarë


Qeveria e Malit të Zi filloi një periudhë treditore zie të enjten, pasi një person i armatosur hapi zjarr ditën e Vitit të Ri, duke vrarë 12 persona, përfshirë dy fëmijë.

Autori i identifikuar nga policia si Aleksandar Martinovic, 45 vjeç, iku dhe u përpoq të kryente vetëvrasje pasi u rrethua nga policia, thanë zyrtarët. Ai vdiq nga plagët rrugës për në spital.

Presidenti Jakov Milatovic tha në një postim në X të mbrëmjes së mërkurë se ishte “i tronditur dhe i befasuar” nga ngjarsja.

Masakra ka shkaktuar valë tronditëse në Malin e Zi, një vend i vogël ballkanik në Detin Adriatik me rreth 620,000 banorë, i cili ka pasur gjatë gjithë kohës një kulturë të fortë të armëve, por relativisht pak incidente me vrasje masive.

Kryeministri Milojko Spajiç tha se një takim i ardhshëm i sigurisë kombëtare këtë të premte do shqyrtojë një “ndalim të plotë të zotërimit të armëve,” midis masave të tjera.

“Armët nuk duhet të jenë në rrugë dhe në duart e atyre që mund t’i dëmtojnë të tjerët,” tha Spajiç në X të mërkurën.

Sipas policisë, autori, i cili kishte një histori të zotërimit të paligjshëm të armëve, kishte kaluar ditën në një bar në Cetinje, rreth 30 kilometra në perëndim të Podgoricës, kryeqyteti i Malit të Zi. Pasi shpërtheu një përleshje, Martinovic shkoi në shtëpi, u kthye me një armë dhe hapi zjarr rreth orës 17:30, duke vrarë katër persona,  përfshirë pronarin e barit.

Ministri i Brendshëm Danilo Saranoviç i tha gazetarëve se fëmijët e pronarit të barit dhe anëtarë të familjes së autorit ishin ndër viktimat.

Pas vrasjes fillestare, Martinoviç vrau tetë persona të tjerë në të paktën tre vende të tjera, i tha gazetarëve prokurorja Andrijana Nastiç.

Sipas një raporti të vitit 2018 nga Small Arms Survey, një projekt kërkimor me bazë në Gjenevë, Mali i Zi kishte një nga normat më të larta të zotërimit të armëve nga civilët në botë, normë që kalohet vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Jemeni dhe i barabartë me Serbinë fqinje.