Microsoft planifikon të investojë rreth 80 miliardë dollarë në vitin fiskal 2025 për zhvillimin e qendrave të të dhënave për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale (AI) dhe për implementimin e aplikacioneve të bazuara në AI dhe në cloud, tha kompania në një postim të premten.
Investimet në AI janë rritur ndjeshëm që nga viti 2022, kur OpenAI prezantoi ChatGPT, pasi kompanitë në të gjitha sektorët po kërkojnë të integrojnë inteligjencën artificiale në produktet dhe shërbimet e tyre.
AI kërkon fuqi llogaritëse të madhe, gjë që rrit kërkesën për qendra të specializuara të të dhënave që mundësojnë kompanitë teknologjike të lidhin mijëra çipa në seri.
Microsoft ka investuar miliarda për të përmirësuar infrastrukturën e saj të AI dhe për të zgjeruar rrjetin e qendrave të të dhënave.
Sipas Visible Alpha, analistët presin që shpenzimet kapitale të Microsoft për vitin fiskal 2025, duke përfshirë qirat kapitale, të jenë 84.24 miliardë dollarë.
Shpenzimet kapitale të kompanisë në tremujorin e parë të vitit fiskal 2025 u rritën me 5.3%, duke arritur në 20 miliardë dollarë.
Si mbështetës kryesor i OpenAI, gjiganti teknologjik konsiderohet një nga konkurentët kryesorë midis kompanive të mëdha teknologjike në garën e AI, falë partneritetit të saj ekskluziv me krijuesin e chatbot-it të AI.
Më shumë se gjysma e investimit prej 80 miliardë dollarë të Microsoft do jetë në Shtetet e Bashkuara, tha në postim presidenti Brad Smith.
“Sot, Shtetet e Bashkuara udhëheqin garën globale të AI falë investimeve të kapitalit privat dhe inovacioneve nga kompani amerikane të të gjitha madhësive, nga start-up dinamike deri te ndërmarrjet e mëdha,” tha Smith.