Vendosni fjalën kyçe....

33-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash, i ati: Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti


Mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç të Shkodrës, është ekzekutuar me armë zjarri 33-vjeçari R. M., i cili po udhëtonte me automjetin e tij tip “Benz”. Ai është qëlluar me breshëri armësh, ndërsa kjo dallohet qartë nga gjurmët e plumbave në derën e automjetit.

Nga hetimet e para dyshohet se autorët e vrasjes kanë monitoruar 33-vjeçarin gjatë natës dhe, sapo ai ka dalë në rrugën kryesore të fshatit, e kanë qëlluar, duke e lënë të vdekur në vend. Banorët që e panë të pajetë brenda automjetit, kanë njoftuar policinë, e cila është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.

Babai i viktimës ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion mbi arsyet e vrasjes dhe ka shtuar se djali i tij nuk kishte pasur probleme ose shqetësime të mëparshme. Komunikimi i fundit me të ka qenë mbrëmjen e kaluar, dhe ai nuk ka treguar asgjë që mund të kishte lidhje me këtë ngjarje tragjike.

Prokuroria dhe policia po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve të saj.

Djali nuk më ka shprehur asnjë shqetësim, nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti. Djali im nuk ka qenë aspak person problematik. Djali im është rritur pa bukë dhe më shumë vështirësi.

Për herë të fundit folëm në orën 22:00, nuk më shprehu asnjë shqetësim. Jemi të tronditur, të zbardhet ngjarja. Nuk e di arsyen e vrasjes së djalit.