Vendosni fjalën kyçe....

Kickl i së djathtës ekstreme pranë postit historik si kancelar i Austrisë


Udhëheqësi nacionalist i krahut të djathtë të Austrisë i është afruar pushtetit të dielën pasi mori një ftesë për të diskutuar mbi formimin e qeverisë pas përpjekjeve të dështuara të centristëve për të mbajtur Partinë e tij të Lirisë jashtë qeverisë.

Herbert Kickl do takohet me presidentin Alexander Van der Bellen të hënën në Vjenë pasi partitë tradicionale dështuan të formojnë një qeveri.

Një zëvendësues i përkohshëm për kancelarin austriak Karl Nehammer i Partisë Popullore konservatore, i cili dha dorëheqjen të shtunën pasi dështoi në arritjen e një marrëveshjeje me socialdemokratët për të formuar një qeveri të re, do emërohet gjatë javës së ardhshme, tha Van der Bellen.

“Kam shfrytëzuar orët e fundit për të biseduar me zyrtarë të shumtë politikë”, tha Van der Bellen.

“Nga këto diskutime, ka dalë tabloja se zërat brenda Partisë Popullore që përjashtojnë një bashkëpunim me Partinë e Lirisë të udhëhequr nga Herbert Kickl janë moderuar ndjeshëm.”

Partia Popullore të dielën emëroi Sekretarin e Përgjithshëm Christian Stocker si udhëheqësin e saj të përkohshëm.

Ajo është e gatshme të diskutojë formimin e një qeverie të udhëhequr nga Partia e Lirisë, tha Stocker në një deklaratë të veçantë.