Vendosni fjalën kyçe....

Kina rrit masat pas shpërthimit të virusit të ri të frymëmarrjes


Kina po përballet me një rritje të ndjeshme të infeksioneve nga një virus i frymëmarrjes, i identifikuar si Metapneumovirusi i Njeriut (HMPV).

Ky zhvillim ka mbushur spitalet, ka nxitur masa urgjente dhe ka ngjallur shqetësime te publiku për një shpërthim të ngjashëm me pandeminë e Covid-19.

Infeksionet janë rritur kryesisht në provincat veriore të Kinës gjatë dimrit, duke prekur veçanërisht fëmijët. Fotot dhe videot nga spitalet tregojnë pacientë që mbajnë maska, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime për të menaxhuar situatën.

Përhapja vjen pesë vjet pasi bota u alarmua për herë të parë për shfaqjen e një koronavirusi të ri në Wuhan, Kinë, i cili më vonë u shndërrua në një pandemi globale me shtatë milionë vdekje të raportuara.

Autoritetet shëndetësore po zbatojnë masa urgjente për të monitoruar dhe menaxhuar përhapjen. Megjithatë, Pekini i ka minimizuar zhvillimet si një dukuri vjetore dimërore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning tha të premten: “Infeksionet e frymëmarrjes priren të arrijnë kulmin gjatë sezonit të dimrit”.

“Sëmundjet duket të jenë më pak të rënda dhe të përhapura me një shkallë më të vogël në krahasim me vitin e kaluar”, tha ajo.