Vendosni fjalën kyçe....

Meloni pranë marrëveshjes 1.5 miliardë dollarëshe me Musk për sigurinë e komunikimeve të qeverisë


Italia është në bisedime me SpaceX të Elon Musk për një marrëveshje që do siguronte telekomunikime të sigurta për qeverinë e vendit, projekti më i madh i tillë në Evropë, thanë të dielën njerëz me njohuri për këtë çështje.

Diskutimet janë duke vijuar ndërsa marrëveshja përfundimtare për kontratën pesëvjeçare nuk është arritur ende, thanë njerëzit të cilën në kushte anonimiteti. Projekti është miratuar tashmë nga Shërbimet e Inteligjencës të Italisë si dhe Ministria e Mbrojtjes e Italisë, thanë ata.

Negociatat, të cilat kishin ngecur deri vonë, dukej se po ecnin përpara pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni vizitoi Presidentin e zgjedhur Donald Trump në Florida të shtunën.

Zyrtarët italianë kanë negociuar për një marrëveshje prej 1.5 miliardë eurosh që synon furnizimin e Italisë me një gamë të plotë të kriptimit të nivelit të lartë për shërbimet telefonike dhe të internetit të përdorura nga qeveria, thanë njerëzit.

Plani përfshin gjithashtu shërbimet e komunikimit për ushtrinë italiane në zonën e Mesdheut, si dhe shtrirjen e të ashtuquajturave shërbime satelitore direkt në celular në Itali për përdorim në emergjenca si sulme terroriste ose fatkeqësi natyrore, thanë ata.

Marrëveshja e mundshme ka qenë në shqyrtim që nga mesi i vitit 2023. Ajo është kundërshtuar nga disa zyrtarë italianë të shqetësuar për mënyrën sesi shërbimet mund të dëmtojnë kompanitë vendase.

Përfaqësuesit nga qeveria italiane dhe SpaceX nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të bëra jashtë orarit të rregullt të punës.

Vetëm këtë vit, SpaceX e Musk ka shtuar më shumë se 20 vende nga Gana në Argjentinë në shërbimin e saj të internetit satelitor Starlink. Ajo tani u shërben më shumë se 4 milionë njerëzve në mbi 100 vende dhe territore, duke mbuluar globin me shërbime me brez të gjerë, duke larguar operatorët e vjetër të telekomit dhe duke tejkaluar sfidat e reja nga Amazon dhe rivalët shtete si Kina.

SpaceX ofron shërbimin e saj Starlink për aplikacione tregtare, duke filluar nga shërbimi i internetit për banesat tek transporti detar dhe linjat ajrore, dhe po zhvillon gjithashtu një produkt të quajtur Starshield për përdorime mbrojtëse dhe sekrete.

Ai po pushton tregun global të komunikimeve satelitore falë një përzierjeje të fuqishme të teknologjisë dhe manovrimeve të zgjuara të biznesit, si dhe ndikimit politik në rritje të Musk.

Italia është një nga tregjet më konkurruese në botë për operatorët telefonikë, të cilët kanë vite që po përballen me tkurrjen e fitimeve. Industria vendase po përballet me një seri të re bashkimesh, si dhe asgjësimin e aseteve multimiliarderëshe.

Vitin e kaluar Telecom Italia SpA, ish-monopoli i telefonisë së vendit, i shiti rrjetin e saj fiks firmës private të kapitalit amerikan KKR & Co. në një marrëveshje prej 22 miliardë eurosh, me synimin për të pakëësuar grumbullin e saj të borxhit. Shitja e rrjetit ishte e para e këtij lloji për një kompani telefonike evropiane dhe ajo u mbështet fuqishëm nga qeveria Meloni. Italia e konsideron telekomunikacionin si një aset strategjik.

Qeveria ka aksione si në Telecom Italia ashtu edhe në kompaninë e re të rrjetit telefonik në pronësi të KKR të quajtur FiberCop. Përveç kësaj, Italia kontrollon rivalin më të vogël FiberCop Open Fiber.

Italia është ndër vendet e furnizuara tashmë nga Starlink, e cila ofron internet me brez të gjerë përmes rrjetit të saj prej më shumë se 7000 satelitësh SpaceX. Vitin e kaluar, Starlink pretendoi se Telecom Italia po pengonte përhapjen e shërbimeve të saj të internetit me shpejtësi të lartë.

Qeveria italiane po shqyrtonte alternativat ndaj opsionit Starlink të Musk, duke përfshirë kompaninë e BE-së IRIS² si dhe ndërtimin e plejadës së saj satelitore, thanë njerëzit me njohuri me rastin. Në të dyja rastet, kostoja e projekteve do kalonte 10 miliardë eurot, shtuan ata.

Në mandatin e tij të parë, Trump shpesh e portretizoi veten në skenën botërore si një lloj tregtari kryesor për interesat e biznesit amerikan. Ai shpesh përdorte takime të nivelit të lartë me homologët për të siguruar angazhime për të blerë armë nga SHBA-ja ose për të investuar në fabrikat amerikane.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani