Ish-kryeministri grek, Kostas Simitis, ka ndërruar jetë në orët e para të së dielës (5 janar) në moshën 88-vjeçare.
Sipas mediave greke, ish-kryeministri u dërgua në spital në orët e para të mëngjesit pa puls. Pavarësisht përpjekjeve për reanimim, ai u shpall i vdekur në orën 8.
Kostas Simitis ka qenë një nga figurat më të shquara të politikës greke moderne, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme në politikën dhe zhvillimet e vendit.
Ai drejtoi Greqinë nga 1996 -2004 kur pasoi Andreas Papandreu në krye të vendit.
Simitis u bë i njohur për planin e tij reformator në ekonominë greke. Ai hapi siparin e projekteve madhore infrastrukturore të vendit dhe e futi Greqinë në zonën euro çka i mundësoi vendit të kalojë një periudhë stabile ekonomike në një periudhën ndryshimesh të mëdha gjeopolitike .
Simitis ishte kryeministri që lancoi nga Selaniku në vitin 2000 edhe dogmën e integrimit të Ballkanit në BE, duke e kthyer Greqinë për shumë vite në mbështetësin kryesor të këtyre vendeve drejtë unionit.