Vendosni fjalën kyçe....

“Vizitova kufirin tokësor mes Italisë e Turqisë” – Ish-ministrja britanike tallet keqazi në rrjet pas lapsusit


Ish-ministrja e Brendshme britanike Suella Braverman është tallur keqazi pasi tha se vizitoi një “kufir tokësor” inekzistent midis Italisë dhe Turqisë, edhe pse të dy vendet janë qindra mijëra kilometra larg njëri-tjetrit.

Ish-ministrja konservatore, e cila ishte e ftuar në radion LBC të enjten e  shkuar, tha se vizitoi një mur të ndërtuar nga Italia për të frenuar emigrimin.

Ajo u tha dëgjuesve: “Italia ka përforcuar kufijtë e saj. Ata ndërtuan një mur. Unë shkova ta shikoja atë mur. Ata ndërtuan një mur në kufirin tokësor midis Italisë dhe Turqisë. Ata kanë dronë. Ata kanë automjete të blinduara. Ata kanë ushtarë. Shifrat që kalojnë atë kufi kanë rënë.”

Por Braverman, e cila u shkarkua nga posti i ministres nga ish-kryeministri Sunak, u tall keqazi në rrjet, me përdoruesit që pyesnin se si shkoi për të parë një mur në një kufi që nuk mund të ekzistonte, shkruan Mirror.

Vetë  Braverman më vonë u detyrua të pranonte se kishte bërë një gabim. Ajo shkroi në X: “E shkëlqyeshme të bashkohesha me LBC këtë mëngjes. Faleminderit për të gjitha telefonatat tuaja të shkëlqyera. Diskutime të mira për barkat e vogla, Izraelin dhe politikat arsimore të Laburistëve… Dhe, padyshim, kisha parasysh kufirin tokësor të Greqisë me Turqinë, të cilin e vizitova dhe ka qenë shumë i suksesshëm!”