Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Çmimet stratosferike të naftës, për shkak të kontrabandës qeveritare të karburanteve


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për menaxhim të gabuar të çmimeve të naftës dhe për abuzime në tregtimin e saj, duke vënë në dukje se kjo situatë ka ndikim negativ te qytetarët.

Ai theksoi se çmimi i naftës në Shqipëri është rezultat i politikave të gabuara të qeverisë, duke i akuzuar ata për kontrabandë të naftës dhe për rritjen e çmimeve të mallrave.

Sipas Berishës, kontrabanda e naftës është një aktivitet që nuk mund të ndodhë pa mbështetje nga qeveritarët dhe ka ndodhur përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre.

Berisha bëri një krahasim mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se çmimi i naftës në Kosovë është shumë më i ulët, edhe pse ky shtet nuk prodhon asnjë litër naftë.

Ai po ashtu theksoi se Shqipëria, e cila prodhon rreth 1 milion ton naftë, ka çmime të larta dhe ka një konsum shumë më të vogël të naftës për krahasim me Kosovën, që zhdoganon më shumë naftë me gjysmën e automjeteve.

Kryetari i PD-së theksoi se numri i kompanive të licencuara për tregtimin e naftës është reduktuar ndjeshëm, nga 30 kompani në vitin 2013 në vetëm 5 kompani sot, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të abuzimeve të qeverisë.

“Sot jam para shqiptarëve dhe para jush për të denoncuar publikisht plaçkitjen e madhe që u bëhet shqiptarëve në çdo litër naftë dhe për të paraqitur alternativën e PD-së.
Në vitin 2013, nafta në bursë ka qenë 97 cent, në Shqipëri është shitur me 140 lekë, në përputhje me kursin. Kurse me 7 prill të viteve më parë, nafta në bursë ka qenë 97.2 cent, në Shqipëri është shitur me 2.2 euro.
Në mars të po këtij viti që citoj, nafta në Maqedoni shitej me 1.3 euro. Në Slloveni, që ka të ardhurat disa herë më të larta, shitej me 1.4, kurse Austria me 1.35 naftën.
Nafta në Luksemburg, që ka të ardhurat mbi 100 mijë euro për banor, shitet 1.1 euro atë vit. Në Shqipëri shitej po atë ditë, 2 euro e 6 cent.
Nafta, se kam marrë disa raste që të nxirret një mesatare, në Shqipëri shitej me 239 lekë, në bursë ajo shitej me 1 gjer 1.8 dollarë. Kurse në SHBA, atë ditë nafta shitej 0.8 dollarë, pra pothuajse tre herë më lirë se në Shqipëri.
Janë vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.
Kjo taksë e tmerrshme mbi shqiptarët shënon një grabitje të tyre të pamëshirë dhe vendos shqiptarët, njerëzit me rrogat më të ulëta në Europë, përballë çmimeve më të lartë në botë të naftës, më të larta se Singapori që i ka të ardhurat 80 mijë dollarë për frymë, më të larta se Luksemburgu që kryeson shpeshherë edhe botën për të ardhura për frymë.
Çfarë ndodh? Pse kjo?
Sepse nafta jo vetëm peshon në buxhetin e të gjithë atyre që kanë automjete dhe ata sot janë qindra mijëra, por peshon në çmimin e të gjitha produkteve që kërkojnë transport, dhe çdo produkt kërkon transport.
Pra, gjobën e naftës e paguajnë jo vetëm ata që kanë automjete, por edhe ata nuk kanë automjete, sepse kanë një përqindje të fortë, 15-20 përqind në çmim transporti i mallrave.
Pse këto çmime?
Dy janë faktorët më madhorë. Unë kam bërë një analizë që i duhet PD për të bazuar alternativën e saj sepse kjo do marrë fund 100 ditët e para të qeverisjes së saj. Ky qëndrim hyn në paketën 100-ditëshe.
Kjo tabelë tregon se Shqipëria është në krye, jo të gjitha taksat i tregon kjo kollonë, por tregon se është 0.60 për litër në Shqipëri dhe është vetëm 0.26 euro për litër në Maqedoninë e Veriut.
Janë pra në Shqipëri 3 herë më të larta se në Maqedoninë e Veriut. Janë dy herë më të larta se në Bosnje, janë dy herë më të larta se në Kosovë.
Për të zbërthyer tani të vërtetën e taksave që u merren shqiptarëve nëpërmjet naftës, kam tabelën e mëposhtme, të cilën po e lexoj.
Akciza: 38 lekë për litër.
Taksa e qarkullimit, e cila në vitin 2013 ka qenë 7 lekë, është sot 27 lekë.
Taksa e karbonit: 3 lekë.
Taksa e rilicencimit, se këta i ndajnë me lote: 7-10 lekë.
Markimi dhe skanimi: 3 lekë.
Kontrolli i pompave: 2 lekë.
Tvsh: 30 lekë.
Në total 1.130 lekë.
d.m.th secili shqiptar që blen një litër naftë, i paguan qeverisë për këtë litër nafte në mënyrën më kriminale 1 euro e 13 cent, që nuk ndodh në asnjë vend të botës.
Natyrisht ky tatim i qytetarëve për çdo litër nafte 1.1 euro është unik, nuk ekziston në asnjë vend përveçse në Shqipëri dhe në mënyrë të padiskutueshme kjo ka ndikim të fuqishëm në çmimin e naftës.

Pra, është qeveria me absurditetin dhe pangopshmërinë e saj që ndikon në këtë çmim, në parimin se ata që kanë makina, kanë edhe para për të blerë.
Po se kjo ndikon te të gjithë qytetarët në çmimet e mallrave që blejnë, kjo ka pak rëndësi për ta.
Por edhe ata që kanë makina, pjesa dërrmuse e tyre janë të mesëm dhe poshtë në të ardhurat që kanë.
Dhe është një qëndrim totalisht i vjetër, anakronik. Për vete shëtit me ‘Ismailin’, 21 milionë euro me 140 fluturime, kurse shqiptarët, thotë, makinat nuk duhet t’i përdorin ose le të bëjnë ç’të duan.
Por a është vetëm kjo shkaku i këtij çmimi stratosferik? Jo, nuk është vetëm kjo. Cila është tjetër? Kontrabanda qeveritare e naftës.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, nafta nuk mund të kontrabandohet pa bekimin direkt të qeveritarëve dhe pjesëmarrjes së tyre.”