Vendosni fjalën kyçe....

Bora e akulli paralizojnë fluturimet në Britani e Gjermani


Reshjet e dendura të borës sollën probleme në pjesë të Evropës të dielën, duke ndërprerë udhëtimet ajrore në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.

Një numër aeroportesh në gjithë Mbretërinë e Bashkuar mbyllën pistat të dielën për shkak të borës së madhe dhe akullit. Zona të gjera të vendit ishin nën paralajmërime për borë dhe akull të dielën, duke përfshirë pjesën më të madhe të Irlandës së Veriut, pjesën më të madhe të Skocisë dhe një pjesë të madhe të Anglisë qendrore dhe veriore.

Aeroporti i Mançesterit, aeroporti i tretë më i madh i vendit për nga madhësia e pasagjerëve, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, tha të dielën në mëngjes se kishte mbyllur përkohësisht pistat për shkak të borës së madhe.

Aeroporti “John Lennon” i Liverpulit gjithashtu mbylli përkohësisht pistën e tij të dielën në mëngjes për shkak të borës, përpara se ta rihapte atë në orën 10:15. Aeroporti Ndërkombëtar i Neëcastle tha se “reshjet e dendura dhe të viueshme të borës” po shkaktonin ndërprerje në oraret e fluturimeve.

Aeroporti i Birminghamit u mbyll për disa orë rreth mesnatës në mënyrë që punonjësit të mund të pastronin borën, por u rihap më vonë të dielën.

Rrugët e trenave në Angli, Skoci dhe Uells janë prekur gjithashtu nga moti i keq, tha Hekurudha Kombëtare e vendit të dielën në mëngjes.

Ndërkohë në Gjermani, bora dhe akulli i zi, si dhe dukshmëria e dobët detyruan anulimin e dhjetëra fluturimeve në aeroportin e Frankfurtit, më i madhi i Gjermanisë. Gjithsej 120 nga rreth 1090 fluturime në aeroport u anuluan, raportoi Associated Press. Në aeroportin e Mynihut ishte e hapur vetëm një pistë.