Vendosni fjalën kyçe....

Meksika e hapur të pranojë emigrantët e dëbuar ga Trump që nuk janë meksikanë


Meksika çeli të premten mundësinë e pritjes së emigrantëve jo-meksikanë të përzënë nga Shtetet e Bashkuara, pasi fillimisht tha se do e shtynte Presidentin e zgjedhur Donald Trump që të kthente kombësitë e tjera drejtpërdrejt në vendet e tyre të origjinës.

Presidentja Claudia Sheinbaum tha gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp se në rastet kur SHBA-ja nuk do t’i kthejë emigrantët në vendet e tyre “ne mund të bashkëpunojmë përmes mekanizmave të ndryshëm”.

Ajo nuk ofroi hollësi, por Meksika mund ta kufizonte atë në disa kombësi ose të kërkonte kompensim nga SHBA-ja për të zhvendosur të dëbuarit, nga Meksika në vendet e tyre të origjinës.

“Do ketë kohë për të folur me qeverinë e Shteteve të Bashkuara nëse këto deportime do ndodhin vërtet, por ne do t’i marrim këtu, do t’i presim siç duhet dhe kemi një plan,” tha ajo. Sheinbaum i kishte paraprirë komentet e saj duke thënë se Meksika nuk është në favor të tyre.

Trump ka premtuar të fillojë dëbimet masive. Kritikët kanë vërejtur se do ketë sfida logjistike për a kryer si duhet këtë gjë.

Dëbimet do ndiheshin menjëherë në qytetet kufitare të Meksikës veriore, të cilat përballen me nivele të larta të krimit të organizuar dhe ku emigrantët jo-meksikanë do ishin objektiva të lehtë për rrëmbim dhe zhvatje.

Kjo ndodhi gjatë mandatit të parë të Trump, kur mijëra që kërkonin azil në SHBA u detyruan të prisnin procesin në Meksikë. Shumë mijëra emigrantë të tjerë që kaluan në SHBA u kthyen në Meksikë sipas një dispozite të shëndetit publik gjatë pandemisë COVID-19.

Në dhjetor, Sheinbaum kishte thënë se kishte në plan t’i kërkonte Trump që të dëbonte jo-meksikanët drejtpërdrejt në vendet e tyre.

Meksika, si çdo vend tjetër, nuk është e detyruar të pranojë emigrantë jo-meksikanë, por ajo ka rënë dakord ta bëjë këtë në të kaluarën e afërt, veçanërisht nga vende si Kuba dhe Venezuela, të cilat shpesh kundërshtojnë fluturimet e dëbimit nga Shtetet e Bashkuara, por mund të pranojnë ata nga Meksika.

Meksika ndaloi përkohësisht dëbimet në dhjetor 2023 për shkak të mungesës së fondeve dhe ato u pakësuan ndjeshëm gjatë vitit 2024 krahasuar me 2023 dhe 2022.