Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka nisur vitin 2025 me një propozim ligjor të rëndësishëm, duke adresuar skandalin e mikrokredive që tronditi Shqipërinë gjatë vitit 2024. Në një video të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku ka theksuar urgjencën për të mbrojtur konsumatorët dhe pronat e tyre nga abuzimet në sektorin e mikrokredive dhe bankar.
Sipas deputetes, mijëra qytetarë shqiptarë u përballën me një skemë korruptive që vuri në rrezik pronën e tyre dhe i detyroi të përballonin situata të vështira financiare. “ 1700 prona u sekuestruan dhe pothuajse 100 mijë qytetarë u përfshinë në një skemë të paparë korruptive, që la shumë familje në mëshirë të fatit, ” deklaroi Tabaku.
Partia Demokratike kishte propozuar ngritjen e një grupi pune në Kuvend për të marrë masa parandaluese, por mazhoranca socialiste nuk ndërmori asnjë veprim. Pas një pritjeje prej gjashtë muajsh, Tabaku dhe ekipi i saj përgatitën një draft ligjor që përafron rregulloret e Bashkimit Evropian me legjislacionin shqiptar, duke synuar standarde më të larta për mbrojtjen e konsumatorëve.
Propozimi përfshin masa konkrete për të siguruar:
• Informim të plotë dhe të qartë për konsumatorët në lidhje me kushtet e kredive.
• Mbrojtjen e pronës dhe të ardhurave të konsumatorëve nga abuzimet.
• Forcimin e mbikëqyrjes dhe standardeve në sektorin bankar dhe financiar.
Nisma ligjore e Partisë Demokratike vjen si një përpjekje për të ndaluar abuzimet dhe për të garantuar që çdo shqiptar të ketë siguri financiare dhe ligjore për pronën dhe të ardhurat e tij. Tabaku i bëri thirrje Kuvendit që të miratojë këtë projektligj, duke e konsideruar atë një hap të domosdoshëm drejt mbrojtjes së konsumatorëve dhe ndërtimit të një sistemi financiar më të drejtë dhe më të sigurt.
Kjo nismë përfaqëson një angazhim të qartë të opozitës për të mbrojtur qytetarët shqiptarë nga abuzimet në sektorin bankar dhe për të rikthyer besimin e konsumatorëve në institucionet financiare të vendit. Tani mbetet për t’u parë nëse shumica socialiste do t’i japë mbështetjen e saj këtij propozimi që synon të evitojë kriza të ngjashme në të ardhmen.
Teksti videos:
Viti 2024 do mbahet mend nga të gjithë dhe për skandalin e mikrokredive.
Mijëra konsumatorë të kredive të vogla, të kredive që merren shpejt, fatkeqësisht u ndodhën përpara një skeme piramidale, një skeme korruoptive që i detyroi ato të vendosin në rrezik dhe pronën e tyre. Fatkeqësisht pati dhe humbje jetësh.
Partia Demokratike i propozoi Kuvendit të Shqipërisë, ngritjen e një grupi pune për të marrë masa që kjo të evitohej në të ardhmen, që të evitohej fakti që konsumatorët të liheshin në mëshirë të fatit dhe të mos kishte mbrojtje për kreditë e tyre, të mos rrezikohej prona e tyre.
Pritëm për thuajse 6 muaj dhe kur kjo nuk ndodhi kemi arritur që të përafrojmë të gjithë rregulloren e Bashkimit Europian për ta përshtatur atë me legjislacionin shqiptar.
Mbrojtja e konsumatorit në sektorin bankar dhe ky është pikërisht propozimi që jam duke dorëzuar, për të pasur standarde më të mira për të mbrojtur konsumatorët , për ti siguruar atyre informacion por edhe për ti siguruar atyre mbrojtjen e pronës së tyre.
Kjo elementi më i rëndësishëm. 1700 prona u sekuestruan,në pikëpyetje u vunë pronat e pothuajse 100 mijë qytetarëve me një skemë korruptive të paparë më parë dhe cfarë bëri shteti, cila ishte përgjigjja e shtetit?
Zero, asnjë përgjigje.Për të evituar që kjo të ndodhë në të ardhmen unë besoj që konsumatorët në sektorin bankar kanë nevojë për mbrojtje maksimale për pronën e tyre, për të ardhurat e tyre, kanë nevojë për mbrojtje me standarde europiane për të gjithë pasurinë e tyre.