Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, thotë se shqetësimet kryesore të familjeve shqiptare, janë çmimet e larta dhe pagat e ulëta, ndërsa qeveria dhe një pjesë e opozitës po shmangin debatin nga problemet reale të qytetarëve.
Në një postim në facebook, Basha thekson se tronditjet që po shkakton drejtësia në nivele të larta të politikës po përdoren për të krijuar kriza artificiale.
Sipas tij, Edi Rama dhe Sali Berisha duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, po kërkojnë të riciklojnë veten me manovra që synojnë mbajtjen me çdo çmim të pushetit të tyre.
Ai bën thirrje për ndëshkimin e kësaj loje politike në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se një votë për Berishën është një mbështetje për Ramën dhe anasjelltas.
“Shqipëria meriton më shumë. Vota për një ndryshim të vërtetë është mjeti për të çelur një kapitull të ri, për një politikë që dëgjon dhe ofron zgjidhje për shqetësimet reale,” shprehet më tej Basha.
Postimi i plotë i Bashës:
Çmimet e larta, pagat dhe pensionet e ulëta prijnë listën e gjatë të shqetësimeve të familjeve shqiptare, sipas një ankete të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Probleme që nuk gjejnë jehonë në hapësirën e përditshme të debatit publik, sepse çoroditja e organizuar nga propaganda e injektuar nga qeveria dhe patericat e saj në opozitë, vendos në qendër të vëmendjes hallet e politikanëve, jo shqetësimet e qytetarëve.
Tronditjet që po shkaktojnë veprimet e drejtësisë në nivelet e larta të politikës kanë nxitur një krizë artificiale, përmes së cilës simbolet e pandëshkueshmërisë të këtyre 34 viteve, po kërkojnë të riciklojnë veten me manovra që synojnë mbajtjen me çdo çmim të pushetit të tyre, qofshin ata në qeveri apo në gjasme opozitë.
Pas zbardhjes nga drejtësia të një pjese të masakrës zgjedhore të vitit 2021, ku u faktua se bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin i siguroi atij votat për të penguar ndryshimin, legjitimiteti moral dhe politik i kryeministrit është zero. Për këtë arsye, çyrbe-kryeministri është investuar prej 3 vitesh në mbajtjen në këmbë të ortakut të tij politik, Sali Berishës, me të cilin mbylli listat dhe amistoi të korruptuarit për t’i përcjellë mesazhe shantazhuese SPAK, sepse, pas 12 vitesh, nuk ka më përgjigje për hallet e qytetarëve, por kërkon përsëri pushtet vetëm për t’u mbrojtur nga hallet e tij me drejtësinë.
Ky teatër i shëmtuar, që serviret me këmbëngulje në çdo ekran, duhet refuzuar dhe ndëshkuar me votë në 11 maj, pasi është tashmë e qartë se çdo mbështetje për Berishën mban më pushtet Ramën, çdo mbështetje për Ramën mban si pseudo opozitë Berishën.
Fundi i tranzicionit është në dorën tuaj, vota për një ndryshim të vërtetë është mjeti juaj për të çelur një kapitull të ri për vendin, për një politikë me fytyrë njerëzore, që dëgjon me dhembshuri zërin tuaj dhe ofron zgjidhje për shqetësimet reale që keni.
Shqipëria meriton më shumë!