Presidenti amerikan Biden njoftoi të hënën një veprim ekzekutiv që do ndalojë përgjithmonë kërkimin e ardhshëm të naftës dhe gazit në det të hapur në pjesë të oqeaneve Atlantik dhe Paqësor në një mënyrë që mund të jetë veçanërisht e vështirë për administratën e ardhshme të Trump për ta zhbërë.
Veprimi ekzekutiv i Biden do ndalojë dhënien me qira të naftës dhe gazit në 625 milionë hektarë të oqeanit. Ndalimi do parandalojë kompanitë e naftës nga marrja me qira e ujërave për shpime të reja përgjatë gjithë Bregut Lindor, Gjirit lindor të Meksikës, brigjeve të Uashingtonit, Oregonit dhe Kalifornisë dhe pjesë të Detit Bering Verior të Alaskës.
“Vendimi im pasqyron atë që komunitetet bregdetare, bizneset dhe plazhistët e njohin prej shumë kohësh: që shpimi në këto brigje mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme në vendet që ne i duam dhe është e panevojshme për të përmbushur nevojat e vendit tonë për energji”, tha Biden në një deklaratë.
Veprimi, të cilin CNN raportoi të premten, mbështetet te një ligj i vitit 1953 që u jep presidentëve autoritet për të bllokuar dhënien me qira të ujërave federale dhe kërkimi i naftës dhe gazit.
Ligji nuk u jep presidentëve autoritet të qartë për të revokuar veprimin dhe për të zhbërë vendimin, që do të thotë se presidenti i zgjedhur Donald Trump do duhet të detyrojë Kongresin ta ndryshojë atë përpara se të mund të ndryshojë masën e Biden.
Sidoqoftë, Trump të hënën tha në një intervistë se do përpiqej të zhbënte veprimin.
“Kjo është qesharake. Do e zhbllokoj menjëherë”, tha Trump në një intervistë radiofonike në “The Hugh Hewitt Show”.