Një ekip që studion sjelljen në grup të milingonave ka zbuluar se në rrethanat e duhura, milingonat mund t’i tejkalojnë njerëzit në detyrat e përbashkëta të zgjidhjes së problemeve.
Studiuesit nga Instituti i Shkencave Weizmann donin të shikonin më nga afër “aftësitë e përbashkëta” dhe nëse grupet ndonjëherë mund t’i trajtojnë problemet me më shumë lehtësi sesa kur i kryejnë individualisht, me inteligjencën kolektive që tejkalon atë të individëve që e përbëjnë atë.
“Ansamblet biologjike përdorin inteligjencën kolektive për të trajtuar sfidat së bashku, por bashkërendimi jooptimal mund të dëmtojë efektivitetin e grupit,” shkroi ekipi në punimin e tyre, duke shpjeguar se kjo dukuri është e vështirë për t’u studiuar për shkak të mjediseve të ndërlikuara në të cilat merren vendimet në grup.
“Një përjashtim është problemi i lëvizjes së ngarkesave të mëdha nëpër mjedise të ndërlikuara dhe drejt një objektivi të caktuar. Njerëzit dhe milingonat dallohen në aftësinë e tyre për të kryer me efikasitet këtë detyrë jo vetëm individualisht, por edhe si grup,” shkroi ekipi.
“Kjo ofron një mundësi të rrallë për të krahasuar në mënyrë empirike aftësitë e zgjidhjes së problemeve dhe tiparet njohëse midis specieve dhe madhësive të grupeve.”
Në studim, ekipi vuri milingonat – veçanërisht Paratrechina longicornis – kundër njerëzve në një detyrë të njohur si “puzzle për lëvizjen e pianoss”, ku një grupi ose individi i kërkohet të lëvizë një objekt në formë të pazakontë (si një piano) përmes një mjedisi të ngatërruar. Ekipi bëri që milingonat dhe njerëzit të lëviznin një objekt në formë T-je nëpër një labirint, me njerëzit që e bënë këtë të vetëdijshëm për eksperimenti kurse milingonat sepse ishin mashtruar duke menduar se po lëviznin një copë ushqim drejt folesë së tyre.
Studiuesit provuan se si njerëzit dhe milingonat u paraqitën si individë dhe pastaj në madhësi të ndryshme ekipore. Për milingonat, grupet shkonin nga grupe të vogla me rreth 7 anëtarë në grupe të mëdha me rreth 80, ndërsa njerëzit konkurruan në grupe të vogla prej 6-9 personash dhe grupe të mëdha prej 26 personash. Për ta bërë krahasimin më kuptimplotë, komunikimi midis njerëzve me përdorimin e gjesteve dhe shprehjeve të fytyrës ishin të kufizuara në disa prova, ndërsa të folurit nuk lejohej.
Njerëzit ia kalonin milingonave kur kryenin detyrën individualisht. Megjithatë, kur bëhej fjalë për grupe të mëdha, rezultatet nuk ishin aq të mira.
Ndërsa madhësia e grupit u bë më e madhe, milingonat u paraqitën më mirë sesa kur e bënin detyrën individualisht. Duke studiuar dinamikën se si milingonat lëviznin dhe reagonin ndaj pengesave, ata zbuluan se ato vepronin sikur të kishin një kujtesë kolektive “emergjente”.
“Grupet e mëdha të milingonave shfaqin këmbëngulje emergjente, e cila zgjeron kapacitetin e aftësive të tyre njohëse për të përfshirë kujtesën afatshkurtër, një bllok i njohjes: kujtesa e drejtimit të lëvizjes ruhet përkohësisht në gjendjen e rendit kolektiv të milingonave transportuese.” shpjegoi ekipi.
“Kështu, kujtesa kolektive është një veçori emergjente dhe jo një tipar individual. Kujtesa emergjente lejon grupet e milingonave të kryejnë skanimin pothuajse determinist dhe të vijueshëm të murit, e cila potencialisht i çon ato nëpër shtigjet më të shkurtra në hapësirën e kërkimit.”
Ndërsa kjo i ndihmoi milingonat, dallimet ndërpersonale në njerëzit që kryenin detyrën nënkupton që grupet njerëzore nuk përfitonin nga ndonjë memorie kolektive emergjente. Në vend të kësaj, ata prireshin të zgjidhnin “makute”, duke e tërhequr T-në drejt qëllimit, pavarësisht se si ky vendim ndikoi në qëllimin afatgjatë për ta kaluar T-në në labirint. Në disa sprova, kjo e bëri paraqitjen e tyre më keq sesa kur ata po e bënin detyrën si individë.
“Një koloni milingonash është në të vërtetë një familje,” tha profesor Ofer Feinerman në një deklaratë. “Të gjitha milingonat në fole janë motra dhe kanë interesa të përbashkëta. Është një shoqëri e lidhur ngushtë në të cilën bashkëpunimi e tejkalon shumë konkurrencën. Kjo është arsyeja pse një koloni milingonash nganjëherë quhet një superorganizëm, një lloj trupi i gjallë i përbërë nga ‘qeliza’ të shumta që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.”
“Gjetjet tona vërtetojnë këtë vizion. Ne kemi treguar se milingonat që veprojnë si grup janë më të zgjuara, se për ta e tëra është më e madhe se shuma e pjesëve të saj,” shtoi ai.
“Në të kundërt, formimi i grupeve nuk zgjeroi aftësitë njohëse të njerëzve. Klisheja e famshme “dituria e turmës ” që është bërë kaq e njohur në epokën e rrjeteve sociale nuk doli në plan të parë në eksperimentet tona.”
Studimi është publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS).
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e IFL
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani