Një konflikt verbal i ndodhur në një lokal në lagjen nr. 13 të Durrësit u ndërpre nga policia, e cila shpëtoi situatën nga përshkallëzimi në dhunë me armë zjarri.
Policia e Durrësit, gjatë patrullimeve për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, konstatoi një përleshje mes disa individëve dhe menjëherë ndërhyri.
Pas kontrollit, ata zbuluan se njëri prej të përfshirëve, Geront Vrioni, 35 vjeç, kishte me vete një armë zjarri kallashnikov.
NJOFTIMI:
Durrës
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Patrullës së Përgjithshme, në kuadër të operacionit të koduar “Momentum”, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me armë zjarri.
U kap me kallashnikov, në lokalin ku u konfliktua për motive të dobëta, vihet në pranga 35-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit.
Gjatë patrullimeve me objektiv garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë konstatuar një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 13.
Menjëherë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Momentum”, është ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tij.
Nga kontrollet është konstatuar se njëri nga shtetasit e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi G. V., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, kishte me vete një armë zjarri kallashnikov.
Shërbimet e Policisë neutralizuan dhe arrestuan në flagrancë 35-vjeçarin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe i sekuestruan atij, armën e zjarrit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të dokumentuar shkakun dhe rrethanat e tjera të konfliktit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.