Vendosni fjalën kyçe....

Meta reagon sërish: Këto janë tre faktet që paraqita sot në SPAK


Nëpërmjet një reagimi tjetër nga burgu, ish-presidenti dhe lideri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se ka paraqitur sot tri akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe Engjell Agaçit, gjatë seancës së pyetjeve reciproke në SPAK.

Ai ka theksuar se Partia e Lirisë ka qenë denoncuesja kryesore e megaaferës së inceneratorëve, duke përmendur përgjegjësitë e dy zyrtarëve.

Meta renditi tre fakte zyrtare që sipas tij, e ngarkojnë Ramën dhe Agaçin me përgjegjësi:

Bonusi i paligjshëm: Më 7 dhjetor 2016, Edi Rama firmosi dhënien e një bonusi prej 8% të pikëve për kompaninë Integrated Energy BV sh.p.k, e cila në atë kohë nuk ekzistonte, duke shkelur ligjet në fuqi dhe duke favorizuar këtë kompani në procedurën e konkurrencës për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Negocimi i kontratës: Rama ka firmosur kontratën koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit në kundërshtim me ligjin “Për koncensionet dhe Partneritetin Publik/Privat”, edhe pasi ishte informuar se procedura e negociatës pa shpallje ishte e paligjshme.

Miratimi i paligjshëm: Ai akuzoi Erion Veliaj për firmosjen e një koncensioni 30-vjeçar për inceneratorin e Tiranës, duke shkelur vendimet e Këshillit Bashkiak dhe ligjet përkatëse.

Meta u shpreh se ndërkohë që vazhdojnë hetimet, dhjetëra milion euro po vidhen dhe financojnë analistë dhe media që manipulojnë informacionin.

Ai kërkoi një përgjigje nga SPAK për veprimet e tyre në këtë çështje me interes të lartë publik, duke theksuar se dokumentet përkatëse janë në duar të tyre, të firmosura dhe me vulë.