Vendosni fjalën kyçe....

Pas raportit të UNESCO, Partia e Lirisë: Arsimi, emergjencë kombëtare


Duke cituar raportin ndërkombëtar të UNESCO se Shqipëria nuk ka financuar sa duhet arsimin, zv. Presidentja e PL Erisa Xhixho, thotë se arsimi është një emergjencë kombëtare.

‘Raporti konstaton një përkeqësim progresiv të raportit mes shpenzimeve për arsimin me buxhetin dhe prodhimin e brendshëm bruto. Në fakt, raporti i UNESCO-s nuk është gjë tjetër veçse një zë i shtuar në përpjekjen tonë, për faktin se sot arsimi është në emergjencë kombëtare’, tha ajo.

Partia e Lirisë propozon një pakt kombëtar për arsimin dhe linçon disa prej pikave të programit të partisë nëse do të vijnë në pushtet.

 ‘Partia e Lirisë e ka rimëkëmbjen e arsimit një prej pesë prioriteteve të planit të saj. Ne do të dyfishojmë buxhetin e arsimit, 5% e PBB do të jetë niveli dysheme, ku buxheti i arsimit do jetë i pari që do plotësojë të gjitha nevojat e tij. Do të dyfishojmë fondet për kërkimin shkencor dhe inovacionin. Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit të shtetit të Kosovës që sot e ka realitet dhe modelit europian. Do të reformojmë kurrikulat me ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik. Ne do të dyfishojmë pagat e mësuesve duke i rikthyer dinjitetin këtij profesioni që në fakt është një mision, gjithashtu do të mbështesim financiarisht studentët që zgjedhin degët e mësuesisë’, tha ajo.