Korporata Shqiptare e Investimeve njoftoi se ka shtyrë afatin për shprehje interesi nga partnerë privatë potencialë që duan të paraqesin ofertë për të zhvilluar projektet mbi pronat shtetërore.
Në faqen e saj zyrtare Korporata bëri me dije se afati i parë i përcaktuar në 6 janar 2025 tashmë është zëvendësuar me atë 20 janar 2025. Aktualisht janë në proces shprehje interesi për partneritet dy projekte. I pari është nënprojekti “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare” me kontratën që ka në objekt “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”.
“Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike ndërkombëtare synon të përzgjedhë partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projekt-idenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve Baukuh Studio Associato & Muoto & Sam Chermayeff Office & Yellow Office & Bollinger Grohmann & Atmoslab & Simoj Boudvin & Arkimade” thuhet në njoftimin e Korporatës.
Në dokumentet e bëra publike thuhet se për të mundësuar zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare (kushti publik i transferimit të pronës) dhe në mënyrë që institucionet publike të përfitojnë pa kosto 34,000 m2 ndërtim me parametra modernë dhe cilësorë, vihet në dispozicion nga ATP për zhvillim me sipërmarrjen të godinës LIFT Tower, prona e saj tek rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rreth 2,357.55 m2. Kjo pronë ka vlerë të lartë ekonomike për sipërmarrjen dhe si rrjedhim është me interes për t’u zhvilluar.
Nënprojekti i dytë për të cilët kompanitë private mund të shprehin interes për të hyrë në partneritet me Korporatën është ai “Ndërtimi dhe menaxhimi i Kompleksit Governativ” me objekt kontrate “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i VOID Tower”.
“Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike ndërkombëtare synon të përzgjedhë partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projekt-idenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve Andrea Kaputo & Focus Architecture & OpenFabric & James Beckett”, thuhet në njoftim.
“Me vendimin VKM 328/2024, Këshilli i Ministrave me aktin e transferimit të disa pronave në pronësi të Korporatës dhe disa pronave të tjera me të drejta zhvillimi, vendosi si kusht për transferimin e pronës plotësimin e nevojave të institucioneve publike sipas termave të marrëveshjeve të bashkëpunimi, terma të cilat ishin baza e hapjes së konkursit të projektimit të projekt-idesë së projektimit pjesë e kësaj procedure konkurruese lidhur me ndërtimin e Kompleksit Governativ në zonën urbane pranë stadiumit “Selman Stermasi” në një truall rreth 11,892 m2 dhe VOID Toëer në zonën urbane në bulevardin “Zhan d’Ark” thuhet në dokumentet e Korporatës lidhur me procedurën.
Në këtë kontekst privati do të zhvillojë ndërtimin tek Aviacioni Civil dhe Parku i Delegacioneve dhe njëkohësisht edhe ndërtimin në Bulevardin Zhan d’Ark.
Korporata Shqiptare e Investimeve ka specifikuar kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë që shprehin interes për të hyrë në marrëveshje partneriteti me këtë të fundit teksa nënvizon se aspekti kryesor që u jep avantazh kompanive është përqindja më e lartë e sipërfaqes që ofrohet për llogari të shtetit./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor