Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Rrugica”, duke arrestuar një 28-vjeçar, J. Sh., i cili u kap në flagrancë duke tentuar të shiste doza kokaine.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti 800 gram kanabis sativa dhe doza të tjera kokaine.
NJOFTIMI:
DVP Tiranë
Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Rrugica”.
Sekuestrohen doza kokaine dhe rreth 800 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Vihet në pranga 28-vjeçari që posedonte lëndët narkotike, me qëllim shitjen.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se në rrugën “Bakalli”, një shtetas shiste doza kokaine, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rrugica”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi J. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Në rrugën “Bakalli”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për kapjen e shtetasit J. Sh., i cili sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka shpërbërë një dozë lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 28-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe rreth 800 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.
Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.