Vendosni fjalën kyçe....

Meta intervistë nga burgu: Arrestimi im mafioz, nuk më pengon kandidimin


Në një intervistë nga qelia e burgut për Syri TV, Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, ndau pikëpamjet e tij mbi zhvillimet e fundit politike dhe hetimet ndaj tij nga SPAK.

Meta theksoi se ndonëse i ndaluar, është më i angazhuar se kurrë për t’i shërbyer lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.

Meta deklaroi se njoftimi për seancën në SPAK nuk i ishte dorëzuar zyrtarisht, duke vënë në dukje një mungesë transparence dhe respektimi të ligjit. Ai kritikoi organin e akuzës për vonesën në hetimin e çështjeve të mëdha, si afera McGonigal dhe rasti i “Gruas së Bilalit”.

Gjatë seancës, Meta i kërkoi SPAK-ut informacion mbi hetimet për dosjet e rëndësishme që përfshijnë qeverinë, si afera e inceneratorëve dhe skandalet që përfshijnë kryeministrin Edi Rama. Meta shtoi se kishte dorëzuar tre shkresa zyrtare për të dokumentuar përgjegjësitë penale të disa zyrtarëve të lartë.

Meta tha se burgimi i tij nuk e pengon të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme, duke shprehur bindjen se mbështetja për Partinë e Lirisë do të jetë masive. Sipas tij, kjo situatë është dëshmi e frikës që kundërshtarët politikë kanë ndaj tij dhe vizionit të tij për Shqipërinë.

Meta kritikoi partitë opozitare që mbështesin SPAK-un, duke theksuar se ato nuk po kërkojnë llogari për çështjet madhore të korrupsionit. Ai hodhi poshtë rëndësinë e sondazheve që e paraqesin SPAK-un me pëlqyeshmëri të lartë, duke i quajtur ato propagandë për të mbështetur qeverinë aktuale.

Në përfundim, Meta e përshkroi veten si një luftëtar për lirinë dhe një kundërshtar të regjimit, duke deklaruar se beteja e tij nuk ka të bëjë vetëm me të si individ, por me të drejtën e shqiptarëve për një shtet të drejtë dhe demokratik. Ai u zotua se do të vijojë përpjekjet për të ndalur degradimin e institucioneve dhe për të rikthyer shpresën te qytetarët.

Intervista e plotë

Z.Meta, dje ju u pyetët nga SPAK gati 3 muaj pas arrestimit tuaj të bujshëm. Çfarë ndodhi në atë që ju e quajtët seancë reciproke të marrjeve në pyetje midis SPAK dhe juve?

Seanca në vetvete ishte konstruktive edhe pse ajo ishte një vazhdim i cënimit të procesit të rregullt ligjor ndaj meje.

E theksoj këtë pasi unë fatmirësisht u njoha me faktin se do pyetesha në SPAK vetëm nga titrat e një TV pranë regjimit 24 orë përpara dhe fiks këto titra dolën në të gjitha ekranet e TV që janë financuar nga inceneratorët vetëm 2 minuta pasi gjyshja e tre fëmijëve të mi doli nga SPAK-u e rrethuar nga dhjetëra media.

Kur ju ngritëm këtë pretendim përfaqësuesve të SPAK- ut, se nuk kishim njoftim zyrtar sipas ligjit dhe procedurave, ata u habitën sepse ky njoftim ishte firmosur që në 30 Dhjetor, ndërkohë që edhe tani që po ju përgjigjem, kjo shkresë ende nuk ka ardhur te qelia ime Nr.5, e cila në vijë ajrore është vetëm 100 metra nga zyrat e SPAK.

Por dua të theksoj se seanca nisi me pyetjen apo kërkesën time se çbëhej me kallëzimin tonë për ndjekje penale për përgjegjësit e arrestimit tim të paligjshëm të dorëzuar në 6 Dhjetor, për të cilën morëm përgjigje se po hetohej nga një prokuror tjetër.

Më pas ne iu përgjigjëm në mënyrë shumë korrekte çdo pyetje të bërë ashtu sic kam bërë edhe në të kaluarën kur jam pyetur për çdo çështje.

Natyrisht që në fund të pyetjeve të tyre dhe përgjigjeve që dhashë si person nën hetim, në cilësinë time si President i Partisë së Lirisë, meqënëse interesi i tyre ishte në fushën e lobimeve edhe unë i pyeta për dy çështje me interes të lartë publik.

Së pari: Çfarë bëhet nga SPAK me hetimin e çështjes McGonigal, pra ish-kryeagjentit të FBI të dënuar me burg edhe për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve që ende është Kryeministër dhe i pa pyetur për këtë çështje?

Së dyti: Çfarë bëhet me hetimin e “Gruas së Bilalit” për skandalin e fotos së paligjshme me Presidentin Obama për të cilën një shtetas shqiptaro- amerikan është dënuar në SHBA?

Dhe natyrisht në fund fare, përsëri si President i Partisë së Lirisë që ka bërë denoncime të shumta për kryeaferën e inceneratorëve, u vura në dispozicion 3 shkresa zyrtare që janë edhe fakte e prova penale të depozituara të cilat ngarkojnë me përgjegjësi penale individuale nga 3 herë Edi Ramën dhe Ëngjëll Agaçin dhe një herë Kryebashkiakun e Tiranës, të cilat i bëra publike edhe në rrjetet sociale, këto shkresa zyrtare janë të vitit 2014 dhe 2017.

Përgjigjia e tyre ishte se nuk ishin kompetentë për këtë çështje, ndaj Partia e Lirisë do t’i drejtohet përsëri zyrtarisht SPAK-ut për të 5 këto çështje që përbëjnë përgjegjësi individuale dhe penale për Edi Ramën.

Z.Meta, a është normale që ju t’i bëni pyetje SPAK- ut?

Unë vazhdoj të jetoj në një sistem demokratik edhe pse jam në qeli, por  vetëm fizikisht.

E di që shumë të tjerë që janë jashtë, janë futur me dëshirë “në qeli”, duke hequr dorë nga të drejtat e tyre dhe liritë që ju jep Kushtetuta dhe duke ushqyer me këtë qafëpërkulje autokracinë që i vjedh dhe i bullizon çdo ditë.

Ashtu siç kam qenë gjithmonë shembull për të përmbushur detyrimet e mia si qytetar e si shtetar apo politikan ndaj Kushtetutës, ligjit, shoqërisë dhe sidomos drejtësisë, padiskutim që kurrë nuk mund  t’i braktis të drejtat edhe liritë e mia për më shumë që jam President i forcës së dytë opozitare në vend.

Është detyra ime për t’ju përgjigjur drejtësisë në çdo kohë dhe kurrë nuk i jam shmangur asaj dhe as nuk kam mbyllur ndonjë çështje me procedurë (edhe kur këto janë shkelur qëllimisht),  por jo vetëm unë, por edhe të gjithë anëtarët dhe votuesit e Partisë së Lirisë dhe të gjithë shqiptarët i paguajnë në mënyrë speciale (6 – 7 mijë euro në muaj) këta prokurorë specialë për të mbrojtur interesin publik dhe taksat e tyre që grabiten pa maska, si në rastin e inceneratorëve e dhjetëra raste të tjera.

Ndërkohë që ju u treguat bashkëpunues me SPAK, ish- bashkëshortja juaj, deputetja Monika Kryemadhi, një ditë më parë deklaroi se nuk do t’i përgjigjet më SPAK- ut por do të fliste vetëm në Gjykatë. Si e komentoni ju këtë për më tepër që media e  evidentoi  këtë dallim?

Asnjë koment, sepse nuk shoh asnjë lidhje midis pretendimeve që bëhen ndaj saj dhe atyre ndaj meje.

Natyrisht që SPAK, që qëllimisht nuk i bashkoi në një çështjen e tre inceneratorëve, ka “ lidhur” çështje që nuk kanë asnjë lidhje me njëra – tjetrën, pasi z. Dumani nisi hetimet për çështjen CEZ – DIA që në Dhjetor 2019 dhe në pamundësi për të gjetur një provë apo fakt penal për këtë çështje (të gjykuar 3 herë brenda vendit dhe në Arbitrazh Vjenë 2014) në bashkëpunim me regjimin hapën edhe nja 5 çështje të tjera me qëllim që të gjenin një fakt apo provë për mua apo edhe njerëz të afërt me mua me qëllim goditjen time politike e sidomos Partinë e Lirisë.

Ndaj jemi në një situatë tragjike për sa i takon degradimit të shtetit të së drejtës që nga rrëmbimi im banditesk, që do të jetë precedenti më skandaloz për Gjykatën e Strasburgut e deri te pretendimi komik i SPAK- ut se unë paskam ndërhyrë si Kryetar Kuvendi për të bërë një ndryshim ligjor në interes të një biznesmeni si Kryetar Kuvendi, kur nga vetë dosja e SPAK provohet se amendamenti është bërë nga deputetja e Edi Ramës në atë kohë, se ligji është mbrojtur nga Edi Rama dhe se ai kishte 65 vota, ndërsa LSI  vetëm 16 vota.

Nuk dua t’ju marr kohën edhe më shumë me marrëzira të tjera që tronditën edhe ish-admiruesin e SPAK-ut, z. Baton Haxhia, kur lexoi dosjen që SPAK-u e nxorri qëllimisht në media.

E megjithatë z. Meta, ju jeni brenda, i dënuar me paraburgim dhe zgjedhjet erdhën, kur jemi vetëm 4 muaj para tyre. A nuk është ky dënim dhe mungesë lirie e juaja një problem për Partinë e Lirisë dhe për ju vetë personalisht dhe më konkretisht a do të kandidoni ju për deputet?

Dua t’ju siguroj se nuk ndihem i dënuar, por ndihem si kurrë më parë në detyrë dhe lartësinë më të madhe të përgjegjësisë time qytetare, politike dhe atdhetare.

Musine Kokalari thoshte se lirinë e kërkojmë shpesh jashtë vetes, por në rradhë të parë liria është e brendshme dhe ju siguroj që unë gëzoj liri të plotë, jo vetëm për të qenë vetvetja këtu në qelinë Nr.5, në 12 m2, por mbi të gjitha për të qëndruar e luftuar për lirinë e të gjithë shqiptarëve që vetëm fizikisht nuk ndodhen në qeli të tilla, por që vetëm të lirë në vendin e tyre nuk ndihen.

Fakti që armiqtë e lirisë të të gjithë shqipëtarëve e jo vetëm të Ilir Metës u detyruan të inskenojnë një rrëmbim mafioz e të paprecedentë tregon dobësinë dhe dekompozimin e tyre total politik e moral dhe tmerrin që kanë nga prania aktive e Ilir Metës në jetën publike dhe ballafaqimet mediatike, si edhe shpresën e tyre të mjerë për të rrëmbyer Partinë e Lirisë dhe shndërruar atë në një fake- opozitë  si shume 0.99 të reja që kanë shpikur këto kohë.

Situata ku jemi nuk ka qenë e paparashikueshme nga unë, përkundrazi.

Ndaj edhe thirra Konventën historike të 27 Prillit ku u bënë ndryshime rrënjësore në statut, duke çrrënjosur nepotizmin dhe krahinalizmin.

E sidomos duke miratuar një program të shkëlqyer, konkret e konciz atë të: 5 Prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus.

Dhe Partia e Lirisë duhet të vazhdojë me intensitet të shpalosë e argumentojë realizimin e 5 Prioriteteve.

Jam shumë i kënaqur që tani shoh që të gjithë flasin për rëndësinë e rritjes së pensioneve, por Partia e Lirisë ishte e para që e çimentoi si prioritet madhor, pasi nëpërkëmbja e tyre e qëllimshme nga “Rilindja” për 12 vjet, ka sjellë pasoja të tmerrshme sociale e sidomos shëndetësore për ta.

Po kështu programi ynë nis me ndalimin e shpopullimit si Prioritet i Parë dhe kulmon me shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese në Rajonin tonë.

Njëkohësisht ky është mbi të gjitha një program tërësisht i financueshëm dhe i certifikuar nga shumë ekspertë të nivelit më të lartë të financave ku do të veçoja Prof. Petraq Milon, Sekretari i Partisë së Lirisë për Çështjet e Ekonomisë dhe të Financave.

Po kështu ne bazohemi te përvojat më të mira të vendeve të Rajonit tonë.

Ndërkohë është detyrë e lidershipit të PL të shumëfishojë forcat dhe të rrisë përqëndrimin për tua kthyer këtë maskaradë armiqve të zgjedhjeve të lira në bumerang.

Lidhur me kandidimin tim, si mund t’ju shkojë mendja se unë mund t’i vendos vetes kufizime në kundërshtim me Kushtetutën, aq më tepër që risitë më shtojnë adrenalinën.

Kur vendosa për themelimin e LSI, 2 ditë më parë nuk ishin të paktë ata që parashikonin se LSI do merrte 1-2 %.

Unë me shumë kënaqësi vendosa një “bast” historik duke kandiduar vetëm në mazhoritar (Skrapar) e duke mos e vendosur veten time të parin dhe  fare në listën proporcionale të LSI.

Sigurisht që kjo kishte rrezik të lartë pasi LSI ishte në opozitë  dhe e gjithë Qeveria dhe Kryeministri i asaj kohe gjithë tërbim u turrën drejt Skraparit  ku unë vajta vetëm 2 herë gjatë fushatës.

Fitorja ishte gati me 2/3 e votave dhe pa u lodhur atje pasi ata njerëz e dinin shumë mirë se kush isha unë që u kisha shërbyer si deputet disa herë duke i mbajtur të gjitha  premtimet e mia e mbi të gjitha përfaqësuar vlerat e tyre më të mira.

Edhe tani, jo vetëm Partia e Lirisë, por të gjithë shqiptarët e dinë se unë jam rrëmbyer në mënyrë banditeske, në mënyrë që jo unë por ata të mos jetojnë të lirë, por të frikësuar e bullizuar nga një regjim që jo vetëm i vjedh çdo ditë, por edhe u kërkon ta duartrokasin në mënyrë që ata të mos e “pësojnë” si Ilir Meta.

Ndaj vota për Partinë e Lirisë dhe Ilir Metën do të jetë masive, sepse shqiptarët do votojnë për lirinë e tyre në radhë të parë.

Por sondazhet nuk janë kaq optimiste z.Meta për Partinë e Lirisë dhe opozitën?

Po kur kanë qenë ndonjëherë sondazhet “bujare” dhe optimiste për Partinë e Lirisë apo ish-LSI?

Kur sondazhet i kanë dhënë LSI më shumë se 2% apo 3%?

Se qenkan sondazhet kaq keq ndaj mbahet në burg Ilir Meta dhe rrëmbehet në mënyrë kriminale?

Po çfarë i gjetën këta në 30 vite hetime Ilir Metës dhe 300 letër porosi anembanë botës?

I gjetën ndonjë numër llogarie të fshehur apo të padeklaruar?

I gjetën ndonjë pronë të fshehur apo të padeklaruar?

I gjetën ndonjë video duke luajtur në kazino?

I gjetën ndonjë shkresë zyrtare apo vendim në kundërshtim me ligjin e interesin publik?

I gjetën pushime luksoze të padeklaruara?

A nuk e çuan këta tre herë Ilir Metën në Komisionin e Venecias që të justifikonin shkarkimin dhe të treja herët u diskredituan si mos më keq?

A nuk shpikën këta që ditën e parë pasi unë mora drejtimin e Partisë së Lirisë “Dosjen I.M”?

Po të ishin kaq të fortë pse do detyroheshin të mbanin arrest shtëpie liderin e Partisë Demokratike, z.Berisha për 333 ditë?

Akoma më tepër të merrnin tani edhe këtë masën e turpshme të detyrim paraqitjes kur hetimet kanë mbaruar?

Apo të vidhnin vulën e PD për dy vite?

Pra ju besoni se do zgjidheni deputet edhe duke qenë në burg?

Padiskutim dhe kjo do të jetë një nga arritjet e mia më të mëdha personale por në interesin e publikut të gjerë sepse e gjithë kjo poshtërsi e projektuar prej dy dekadash nuk ka të bëjë thjesht me Ilir Metën, por me shndërrimin e Shqipërisë në tokën e askujt. Dhe për këtë duhen zhdukur nga skena politike, politikanë patriot dhe të pashantazhueshëm nga askush.

Ata duan të zhdukin çdo ndjenjë kombëtare e patriotike. Atyre u intereson vetëm territori ynë dhe pasuritë e vendit tonë por aspak populi ynë e sidomos rinia e jonë. Ata nuk duan të ketë më politikanë me bindje, por papagaj e kukulla.

Analistë të ndryshëm thonë se partitë e reja opozitare pro-SPAK mund të përfitojnë terren ndaj PD dhe PL që janë kritike ndaj SPAK-ut dhe për këtë ata i referohen edhe sondazheve që e nxjerrin SPAK me 70% pëlqyeshmëri. A ju shqetëson kjo?

Aspak sepse të pretendosh të jesh në opozitë e të mos i kërkosh llogari SPAK-ut që jo vetëm akoma se ka arrestuar apo marrë të pandehur Edi Ramën për aferat skandaloze që mbajnë firmën e tij por as guxon ta marrë në pyetje apo t’i përmendë emrin nuk të voton as bufi dhe jo më qytetari më i painformuar.

Po kështu ata qytetarë që e duan SPAK-un votojnë direkt për Edi Ramën pasi ai e ka thënë vetë që është krijuesi i vetëm i SPAK-ut.

Dhe këtu çuditërisht nuk ka gënjyer sepse themelimi i SPAK-ut nisi atë ditë kur ai zgjodhi Prokurorin e Përgjithshëm me 69 vota nga 84 që e ka Kushtetuta.

Ndërsa ky sondazhi për SPAK-un më kujton sondazhin e Edi Ramës se 70% e shqiptarëve ishin pro “Ballkanit të Hapur” që po i falimentonte.