Vendosni fjalën kyçe....

U ekstradua nga Turqia, mbërrin në Rinas Dritan Rexhepi (Video)


Dritani Rexhepi është ekstraduar sot nga Turqia, ku ishte arrestuar me kërkesë të drejtësisë shqiptare.

45-vjeçari ka qenë i arrestuar në disa vende më parë si në Itali e Ekuador ndërsa së fundmi është kapur në Turqi.

Ai kërkohet në Shqipëri pasi akuzohet për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në vitin 2020.

Ndërsa në vitin 2013, ai është dënuar me 25 vjet burg për një vrasje të dyfishtë në Krujë.

Njoftimi i Interpolit

“Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.

45-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, sepse:

-Në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P., pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij;

-Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”;

-Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital;

-Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.”