Kryeministri Rama tha sot se ulja e çmimit të energjisë në vend është e para herë që ndodh në 35 vite dhe se është frut i rritjes ekonomike, i investimeve në sektorin energjetik dhe i uljes së humbjeve në rrjet.
Kreu i qeverisë shtoi se Shqipëria është prodhuesi më i madh i energjisë në rajon nga burimet e rinovueshme.
“Ulja e parë e çmimit të energjisë elektrike në këto 35 vite. Kjo na mbush me krenari po të marrim parasysh cfarë humnere e kemi nisur ngjitjen. Ulja është në kundërtendencë të plotë me rajonin e kontinentin ku jetojmë ku çmimet e energjisë jo vetëm janë rritur por dhe janë të kërcënuar nga rritje të tjera. Rritja e konsumit të energjisë me këto përmasa tregon rritje të ekonomisë, të kapaciteteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë. Po përsëris fakte që nuk dalin zakonisht se portalet dhe ekranet janë më të interesuara për spektaklin e gjysmë vërtetave dhe thertoren publike të gjithë personazheve publikë. Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm ku gjysme nuk e paguante dhe e vidhte. Falë incentivave, jo vetëm e para në rajon për vetë prodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i fundit. Prodhojmë 169 mgë energji elektrike nga subjekte private familjare. Në vendin e dytë Serbia me çerekun e prodhimit. Pastaj Kosova, Mali i Zi, Maqedonia janë bashkë. 3 vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjitik lufta në Ukrainë. Sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë e kishte zero. Sot e ka 10%”, thotë Rama.