Vendosni fjalën kyçe....

Detaje të reja nga ngjarja e Astirit, dyshohet se vajza ka qenë e shoqëruar me persona të tjerë


Telefonata e një vajze në polici, rreth orës 14:00 se ishte dhunuar nga disa persona ka alarmuar policinë e cila blindoi  zonën e Astirit në Tiranë, pasi dyshonte se mos ishim para një rasti  rrëmbimi.

Vajza ndodhej e mbyllur në banesë në katin e 8-të të një pallati në zonën e Astirit.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes për të negociuar me vajzën e identifikuar si S.Q., për të hapur derën e banesës.

Në pamundësi për të hyrë nga dera, forcat speciale gjetën një mënyrë për tu futur në banesën e katit të tetë nga dritarja.

Dy efektivë të forcave speciale, u lidhën me litar dhe u hodhën nga tarraca e pallatit dhe zbritën në katin e tetë, ku futën nga dritarja dhe ballkoni.

Siç raporton Report Tv, banesa është marrë me qira nga i dashuri i vajzës.

Dyshimet e policisë janë se brenda apartamentit ku ndodhej vajza kanë qenë disa djem. Po verifikohet se kush janë këta djemtë, ndërkohë që në apartamentin përballë, atij ku ishte vajza janë gjetur 2 armë dhe mbejte lënde narkotike.

Policia është në kërkim të të dashurit të vajzës që dyshohet se kishte marrë të dy apartamentet me qira. Babai pretendon se djali ka marë vajzën me zor dhe e ka mbajtur peng.

Vajza nuk është gjetur me shenja dhune por në gjëndje relativisht të rëndë psikologjike. Ndërkohë babai i saj pretendon se të bijën e kanë rrëmbyer.

 

I dashuri mori apartamentin me qira

I dashuri i vajzës ka marr banesën me qira ditore. Ndërkohë pronari i banesës ka edhe një hyrje tjetër ngjitur me këtë banesë. I dashuri i vajzës më pas ka marrë me qira edhe hyrjen tjetër.

Policia kishte informacion se në këtë banesë kishte armë zjarri. Sot efektivët kanë ndërhyrë në banesën e dytë ku kanë gjetur dy armë zjarri në tavolinë dhe shenja kokaine. Banesa ka qënë thuajse e shkatërruar.

Kur efektivët kanë trokitur në banesën tjetër që ishte e reja ajo ka filluar të bërtasë dhe është kyçur brenda dhe ka lajmëruar policinë.

 

Njoftimi paraprak i policise

‘Shtetasja S.Q, ka njoftuar sallën operative se ndodhet në një banesë në katin e 8-të, dhe pretendon se është dhunuar nga disa persona.

Menjeherë në vendngjarje kanë mbërritur sherbimet e Policisë, Grupi Hetimor, shërbimet zjarrëfikëse dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe ofrimin e ndihmës së qytetares.

Shërbimet e Policisë po negociojnë me shtetasen S.Q, pasi e ka mbyllur deren dhe nuk pranon ta hap.’