Kreu i PD-së Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj drejtësisë shqiptare duke e quajtur atë mashë të narkodiktaturës.
Pasi vizitoi deputetin e dënuar Ervin Salianji në burgun e Fierit, kryedemokrati tha se burgosja e Salianjit ishte triumfi i mafies mbi Kushtetutën e ligjet e vendit.
Ai u zotua se do vijojë betejën kundër qeverisë Rama dhe se nuk do ndalej derisa kryeministri e ish-ministri Xhafaj të dilnin para drejtësisë.
“Ervin Salianji u dënua nga narkoqeveria se i shërbeu vendit, qytetarëve. Denoncoi klanin e rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, klanin e Geron Xhafës. Biseduam për vijimin e betejës sonë. Beteja do përfundojë kur klani Xhafaj dhe klani Rama të marrin dëmimin e merituar. Ky është rasti i triumfit të plotë të mafias mbi Kushtetutën, ligjin, drejtësinë. Çështja Salianji është e sanksionuar në tre rezoluta ndërkombëtare, më të fuqishme të votuara ku Shqipëria damkoset si narkoshtet e shteti i burgosjeve politike. Drejtësia do kishte mbështetjen më të fuqishme të PD-së nëse nuk do bëhej një mashë e vërtetë politike. Drejtësia është një mashë ne duart e narkodiktaturës. Kush tha që nuk do realizohet rotacioni. Aq sa i reziston bryma-diellit, aq i reziston narkotiktatura vullnetit të popullit. Këto janë muajt e fundit të narkodiktaturës, është radha jonë, radha jonë, radha jonë.“ – tha Berisha.