Vendosni fjalën kyçe....

Një shpjegim mbi uljen e çmimit të energjisë


Nga Irena Beqiraj

Në 2024 shqiptarët panguanin për energjinë elektrike çmimin me TVSH më të lartë në rajon. Ndaj vendimi i ERE-s për të ulur me 1 lek çmimin e energjisë elektrike deri në fund të vitit 2025, e ka bërë Kryeministrin shumë krenar.

Pas 12 vjet reformash, ulja me 1 lek e çmimit të energjisë do ta rendisë Shqipërinë nga vendi me çmimin më të lartë, në vendin e tretë pas Maqedonisë së Veriut edhe Serbisë,  me një çmim me TVSH prej 0,0992 euro/ KWH. Sërish Kosova, Bosnja dhe Mali Zi do t’i kenë çmimet me TVSH më të ulta se Shqipëria.

Është interesant fakti që analizat e pavarura të ERE-s përkuan me sugjerimin që 4 muaj më parë Kryeministri i bëri ministres së Energjitikës në Fier, ku ai e garantoi se nëse do ulte çmimin e energjisë qoftë edhe me një lek, pensionistët e Fierit do votonin PS-në.

Por më interesante se rastësia midis vendimit “të pavarur” të ERE-s edhe qëllimeve politike të partisë në pushtet, mbetet preformanca financiare e kompanive energjitike. Megjithëse familjet paguajnë çmime jo të ulta krahasuar me rajonin, kompanitë shqiptare energjitike janë dukshëm më të varura nga subvencionet ose mbështetja buxhetore, krahasuar me kompanitë e rajonit.

Pra, kur bëhet fjalë për subvencionet në sektorin e energjisë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, janë vendet që kanë akorduar më shumë subvencione kompanive të energjisë ndërsa Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi nuk kanë dhënë asnjë mbështetje financiare për këtë qëllim. Maqedonia e Veriut dallohet për dhënien e mbështetjes më të gjerë në raport me PBB-në edhe e dyta në rradhë vjen Shqipëria (tabela: të dhënat e FMN)

E pra ka një paradoks. Si ka mundësi që aty ku energjia faturohet me çmim më të lartë për familjarët, në Maqedoni edhe në Shqipëri qeveritë japin më shumë mbështetje ose subvencione për kompanitë prodhuese dhe shpërndarëse të energjisë (përkatësisht 1,93% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Maqedoni dhe 1,6% të PBB-së në Shqipëri? Ndërkohë që paguajnë shuma të papërfillëshme të mbeshtetjes (rreth 0,01% te PBB-së) për familjet të cilat përballojnë çmimin më të lartë në rajon? Parimet e mirëmenaxhimit dhe e mirëqeverisjes do na çonin në drejtim të kundërt me këtë që ndodh.

Ky paradoks e ka fillesën tek mungesa e kufirit ndarës midis politikave publike dhe qëllimeve tregtare të kompanive energjitike. Për sa kohë që kompanitë publike energjitike përdoren për qëllime të shumëfishta si publike dhe tregtare, pa një ndarje të qartë midis këtyre qëllimeve, qëllimet publike janë përdorur dhe do përdoren si “mbulesë” për përformancën e dobët tregtare, duke rritur barrën e sektorit në buxhetin e shtetit, si dhe duke e bërë të pamundur transparencën. Efekti i parë i uljes do ndihet në rritjen e kërkesës së kompanive për mbeshtetje buxhetore edhe nuk do çuditesha që 1 lek për çdo KWh të harxhuar nga pensionistët  t’i rëndonte  buxhetit me 5 lek.

Megjithatë, nuk do guxoja ta quaja keqmenaxhim, miqve të mi socialistë do t’iu mbetej qejfi. Ndërsa opozitarët do më akuzonin për anshmëri, pasi sipas tyre shpjegimi i këtij paradoksi mund të çojë edhe më larg.

Por një gjë e them me siguri – Krenaria që ka ndjerë  Kryeministri për uljen me 1 lek të çmimit të energjisë, ulje e ofruar pikërisht 4 muaj para zgjedhjeve vërteton edhe një herë konstatimin e drejtë të Cezarit “se një udhëheqës krenar është një udhëheqës i dobët”.