Gati dy muaj pas vrasjes së Klaudio Prendit në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, policia ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje në lidhje me hetimet që po zhvillohen për zbardhjen e ngjarjes.
Burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se dyshimet janë se disa nga të shoqëruarit mund të jenë autorë të krimit dhe porositës, të cilët dyshohet të kenë paguar për ekzekutimin, përcjell Shqiptarja.com.
Prendi u ekzekutua më 19 nëntor 2024, pak pasi kaloi mesnata dhe sapo hipi në makinën e tij pranë Xhamllikut në Tiranë. Ngjarja ndodhi pas një sherri për borxhe të krijuara nga llotot sportive, e cila vijon të jetë pista kryesore e hetimit. Klaudio Prendi kishte pasur dy konflikte të forta me një grup tjetër, ku i fundit ndodhi rreth një muaj para vrasjes.
Mjeti që përdorën autorët kishte një targa greke të vjedhur në Greqi, për të cilën janë kontaktuar autoritetet greke, por deri tani nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nga ana e tyre. Hetimet për zbardhjen e vrasjes vazhdojnë.