Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të marrë Groenlandën. Prania ushtarake e Amerikës atje ka pakësuar prej kohësh një pjesë të anijeve, patrullave me saja qensh dhe aeroplanëve të vetëm vëzhgues të përdorur nga garantuesi i sigurisë së ishullit Arktik, Danimarka.
Baza Hapësinore Pituffik, e vendosur në veriun e largët të Groenlandës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, është vendi ku ndodhen 200 ushtarakë amerikanë dhe 450 forcave të tjera ushtarake dhe kontraktorëve nga aleatët, pjesë e sistemit të paralajmërimit të hershëm ndaj raketave që ka ngritur Uashingtoni, si dhe ofron mbikëqyrje hapësinore dhe komandë satelitore.
Baza më veriore e SHBA-së – vetëm 1,500 km nga Poli i Veriut – është simboli më i fuqishëm se sa jetike është Groenlanda për sigurinë amerikane. Por rëndësia e saj gjeostrategjike ka të ngjarë të rritet pasi ndryshimet e mundshme klimatike të riformësojnë Arktikun, duke hapur rrugë të reja tregtare pranë Amerikës së Veriut dhe duke e vendosur Groenlandën në zemër të përleshjes polare në rritje midis SHBA-së, Kinës dhe Rusisë.
Mikkel Runge Olesen, studiues i lartë në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare, tha: “Për SHBA-në, problemi është interesi kinez dhe rus në Arktik. SHBA-ja ka filluar ta shohë Arktikun si një rajon për konkurrencë gjeopolitike. Është shumë e rëndësishme që SHBA-ja t’i mbajë fuqitë e tjera të mëdha jashtë Groenlandës.”
Kur Trump shprehu për herë të parë interes për blerjen e Groenlandës në 2019, ai e cilësoi atë si “një marrëveshje shumë të madhe pasurish të paluajtshme” dhe theksoi aspektet ekonomike të marrjes së saj nga Danimarka. Këtë herë fokusi i tij ka ndryshuar.
“Ne kemi nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare,” tha ai të martën, duke përmendur nevojën për të penguar anijet ruse dhe kineze.
Ishulli më i madh jo-kontinental në botë ka vetëm 57,000 banorë, por ka një rol të madh në çështjet e sigurisë. Ai ndodhet në hyrjen e kalimeve veriperëndimore dhe verilindore përmes Arktikut, të cilat ka të ngjarë të hapen më shumë për transportin tregtar dhe është afër rrugëve thelbësore për nëndetëset ruse.
E konsideruar si pjesë e tokës së Amerikës së Veriut, Groenlanda është një territor autonom i Danimarkës që ka një kryeqytet që është më afër Uashingtonit DC sesa Kopenhagenit.
“Groenlanda është e lidhur ngushtë me sigurinë tonë për shumë arsye dhe kjo ka qenë e dukshme që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha për Free Press kohët e fundit John Bolton, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i Trump, kur ai hodhi idenë për të blerë Grenlandën.
Bolton shtoi: “Ne e dimë nga përpjekjet e përsëritura të kinezëve për të zgjeruar ndikimin e tyre, se ata duan të bëhen një fuqi e Arktikut. Pra, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike të Groenlandës me SHBA-në është padyshim një interes strategjik.”
Pyetja është nëse qëndrimi agresiv i Trump – potencialisht kërcënues për veprime ushtarake kundër një aleati të NATO-s – ndihmon apo pengon përpjekjet e SHBA-së për të rritur sigurinë e saj në Groenlandë.
Toni i përgjigjes së Danimarkës ka qenë jashtëzakonisht zbutës, edhe pse ka këmbëngulur që Groenlanda nuk është në shitje. Lars Lokke Rasmussen, ministri i jJshtëm i Danimarkës, tha të mërkurën se ishte i hapur për të diskutuar me SHBA-në “si ne mund të bashkëpunojmë edhe më ngushtë për të siguruar që ambiciet amerikane në Arktik të përmbushen”.
Danimarka, prania e trupave të së cilës në Groenlandë është e kufizuar në një Komandë Arktike prej vetëm 75 personash, është përpjekur t’i tregojë SHBA-së se është e gatshme të përmirësojë praninë e saj të sigurisë në ishull.
Ajo zbuloi një rritje prej 250 milionë dollarësh në aftësitë e mbikëqyrjes në Groenlandë dhe Ishujt Faroe, një tjetër territor autonom danez, në vitin 2021. Në prag të Krishtlindjeve vitin e kaluar, pikërisht pasi Trump shprehu për herë të parë dëshirën e tij për të kontrolluar Groenlandën, ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen tha se vendi nordik do investonte deri në 2 miliardë dollarë në anije të reja, drone dhe ekipe që përdorin sajat e tërhequra nga qentë, do ndërtojë Komandën e Arktikut dhe do zgjerojë një pistë aeroporti për të pritur aeroplanët F-35 në ishull.
Megjithatë, sfidat e përfshira në mbrojtjen e ishullit të madh u theksuan në vitin 2023 kur një anije lundrimi u mbyt në bregun lindor të Groenlandës dhe u deshën katër ditë që anija e parë e shpëtimit nga ushtria daneze të arrinte në vendin e ngjarjes.
Olesen i DIIS tha: “Është një situatë shumë e zymtë për Danimarkën, Megjithatë Danimarka ka qenë jashtëzakonisht mikpritëse ndaj SHBA-së në Groenlandë. Pra, është e çuditshme pse SHBA-ja do duhej ta bënte këtë sepse ata tashmë kanë frerë të lire aty.”
Ekspertët dhe zyrtarët e Groenlandës thonë se ka pasur diskutime për rritjen e pranisë ushtarake të SHBA-së në ishullin Arktik, ndoshta përmes një baze të dytë. Disa vite më parë një ministër i Groenlandës tha se do ishin “të lumtur të shihnin më shumë forca” amerikane në ishull, duke i përshkruar ato si “siguruese”.
Shtytja për Groenlandën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka – që ka të ngjarë të shfaqet fuqishëm në zgjedhjet e këtij prilli – do të rriste nevojën për një garantues të jashtëm sigurie për të ndihmuar në mbrojtjen e ishullit, si dhe nevojën për investitorët e huaj.
“Ne nuk duam një fuqi të re koloniale. Por është e qartë se ne nuk mund të kujdesemi për mbrojtjen e vetes – në aspektin e parave ose njerëzve,” tha një zyrtar groenlandez.
Bolton sugjeroi se Trump do ishte i mençur të “mbyllte gojën” dhe të lejonte zyrtarët në Uashington, Kopenhagen dhe Nuuk të krijonin një marrëdhënie të re. Por presidenti i zgjedhur duket se nuk ka gjasa të ndjekë këtë këshillë, duke theksuar se Danimarka duhet të heqë dorë nga Groenlanda “sepse na duhet për sigurinë kombëtare”.
Olesen tha se në fund vendimin do e merrnin banorët e Groenlandës dhe se Trump nuk do duhej vetëm të kërcënonte, por të tregonte se çfarë mund t’u ofronte atyre në aspektin e sigurisë.
“Çfarë janë të gatshme të ofrojnë SHBA-të për Groenlandën? Përpara se ta shohim këtë, është e vështirë të dimë se si do veprojë Groenlanda,” shtoi ai.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani