Vetëm 3 ditë para se zyrtarisht të nisë regjistrimi i emigrantëve për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka vendosur të dërgojë në shtetet ku ka një prezencë të lartë të shqiptarëve, disa prej drejtueseve politikë të qarqeve.
Burime bëjnë me dije se vendimi është marrë sot në mbledhjen që kryeministri Rama mbajti në selinë rozë me drejtuesit politikë, ku është bërë me dije se së shpejti do të rifillojë turi i diasporës në Greqi dhe Itali, aty nga ku pritet të jetë edhe numri më i lartë i pjesëmarrësve në zgjedhje.
Takimet në Athinë do të nisin nga kjo fundjavë, një grup prej të cilëve do të nisen që ditën e shtunë. Në Athinë do marrin pjesë në takime, Drejtuesi politik i Vlorës, Bledi Çuçi së bashku me kryetarin e bashkisë Ermal Dredha, drejtuesja politike e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro me kryetarin e bashkisë, Flamur Golemi, si edhe drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku me me kryetarin e bashkisë, Armando Subashi.
Ndërkohë, drejtuesi politik për diasporën, Taulant Balla do të marrë pjesë në takimet me shqiptarët në Itali.
PS pritet të sigurojë edhe asistencë për emigrantët që do të regjistrohen në platformën e KQZ për të marrë pjesë në zgjedhje, në mënyrë që të maksimizojnë votën e diasporës.
Kryeministri Rama ka lënë porosi ngritjen e disa pikëtakimeve që do të shërbejnë si pika informimi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.