Policia e Korçës ka sqaruar vdekjen e 14-vjeçarit në QSUT ditën e djeshme ku ishte sjellë nga spitali u Korçës. Sipas bluve, Leo Sadiku, banues në fshatin Pocestë të Maliqit ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale pas një arresti kardiak.
“Më datë 08.01.2025, në QSUT, Tiranë, ka humbur jetën, një 14-vjeçar, banues në fshatin Pocestë, Maliq. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale (arrest kardiak)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas spitalit të Korçës, i mituri kishte shkuar në spital me simptoma gripi dhe ishte stabilizuar përkohësisht në datën 31 dhjetor. Ndërkohë në 7 janar 2025 i mituri është paraqitur në urgjencë dhe pas një stabilizimi të gjendjes është dërguar në QSUT.
Sipas kësaj të fundit, 14-vjeçari është diagnostifikuar me miokardit akut dhe ka ndërruar jetë pavarësisht ndërhyrjes.
“QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë. Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë. Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient.”– sqaroi QSUT-ja.