Policia e Fierit ka shpallur në kërkim 29-vjeçaren M. H., bashkëshorten e 40-vjeçarit G. H., i cili u plagos me armë zjarri pak ditë më parë në “Kryqëzimin e Zogut të Zi”. Ngjarja e ndodhur më 05.01.2025, ka shpërthyer pas një konflikti të lidhur me zgjidhjen e martesës mes dy bashkëshortëve.
Si pasojë e hetimeve, M. H. është shpallur në kërkim për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ndërsa i dashuri i saj, K. B., 26 vjeç, është shpallur i dyshuar si autor i plagosjes dhe është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Vrasjen me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
Njoftimi:
“Në vijim të informacionit të datës 05.01.2025, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit G. H., 40 vjeç, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, sqarojmë se si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetases M. H., 29 vjeçe (bashkëshortja e 40-vjeçarit, me të cilën është në proces për zgjidhjen e martesës). Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e saj, si dhe të autorit të plagosjes, shtetasit K. B., 26 vjeç”, njofton policia.
Më datë 08.01.2025, për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, përkatësisht për shtetasin K. B., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa për shtetasen M. H., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.