Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllja e hetimeve nga SPAK-u për Olsi Ramën, reagon Bardhi: Njoftim qesharak, prokurorët ndihen të intimiduar nga pushteti


Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në lidhje me hetimet për çështjen e laboratorit të drogës në Xibrakë.

Në deklaratën e tij, Bardhi e cilëson komunikatën e prokurorisë si një “njoftim qesharak” dhe e akuzon këtë institucion se ka dështuar të kryejë hetime të mirëfillta për të zbardhur të vërtetën.

Bardhi theksoi se njoftimi i SPAK ishte kontradiktor, pasi pretendonte se hetimet kishin përfunduar, por më pas deklaronte pezullimin e tyre dhe transferimin e dosjes tek policia për identifikimin e personave të përfshirë, ende të paidentifikuar pas dhjetë vitesh. Ai ka akuzuar prokurorinë për mungesë profesionalizmi dhe për tjetërsim të qëllimshëm të hetimeve, duke shtuar se kjo gjë ka krijuar një situatë qesharake.

Në mënyrë të veçantë, Bardhi ka vënë në shënjestër SPAK dhe prokurorin Alfred Shehu, duke i kujtuar publikisht se katër vite më parë, në një rast tjetër të përfshirjes së tij, deklaratat e tij ishin kundërshtuese brenda pak ditësh për materialet zgjedhore të gjetura në Elbasan.

Në përfundim, Bardhi shprehu keqardhje për prokurorët që, sipas tij, ndihen të intimiduar nga pushteti i kryeministrit Edi Rama dhe që nuk arrijnë të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ai nënvizoi se kjo situatë po shndërron prokurorinë në një institucion që vepron nën presion dhe si pasojë dëmton besimin e qytetarëve.

“Nuk i besova syve me atë që lexova. Hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar. Ky ishte thelbi i atij njoftimi qesharak të prokurorisë, që e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dhe të dhëna konkrete dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes së mundshme të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama në çështjen e laboratorit të Xibrakës. Prokuroria njofton se kishte përfunduar hetimet për dosjen në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë thoshte se kam pezulluar hetimet dhe kam dërguar dosjen e plotë që polica e shtetit të bëjë përpjekje për të identifikuar atë që fshehur para 10 vitesh. E vërat është krejt ndryshe, prokuroria as nuk ka hetuar dhe as nuk ka kryer asnjë veprim hetimor, për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në aktivitet kriminal, deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar personat e përfshirë por deri tashmë të paidentifikuar. Dhe njoftimi se njëri nuk është, po ne nuk e dimë kush janë, është logjika që përdori para 10 vitesh policia e shtetit duke na thënë të gjithëve se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete, 45-vjeç, por nuk i gjente dot emrin.

I kuptoj prokurorët e SPAK se ndihen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës, por nuk kanë asnjë arsye për tu bërë qesharakë dhe për të na kthyer të gjithëve në memorie se të bërit qesharakë në fakt e kanë metodë të punës së tyre. Shqiptarët e mbajnë mend, që i njëjti prokuror, Alfred Shehu para 4 vitesh doli me zë e figurë dhe i tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhjet në Elbasan, nuk u gjetën materiale zgjedhore, nxitimi për të amnistuar bandën në pushet hasi në kundërshtimin e vetes vetëm kur tre ditë më vonë në gjykatë deklaroi që po, në makinë u gjetën materiale zgjedhore. Në këto kushte duke ripërsëritur pas 4 vitesh veten, skam asnjë mesazh më shumë veçse për të ndjerë keqardhje se për shkak të presionit, të ndërhyrjes, për shkak të intmidimit, prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë, por detyrohen të kthehen në qesharakë”-thotë Bardhi në reagimin e tij.