Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Si e sajoi propaganda e qeverisë uljen e çmimit të energjisë me 1 lek


 

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj masave të qeverisë për uljen e çmimit të energjisë elektrike me vetëm 1 lek, duke e cilësuar këtë masë si të papërfillshme për qytetarët shqiptarë, të cilët përballen me kosto të larta jetese dhe barrën më të madhe fiskale në rajon.

“ Kjo ulje nuk prek asnjë problem real të qytetarëve, ” theksoi Tabaku, duke vënë në dukje se familjet shqiptare vazhdojnë të përballen me një sistem të rënduar dhe të paadresuar të sektorit energjetik.

Tabaku ka argumentuar gjithashtu gjendjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHE), duke e cilësuar atë si një kompani me borxhe të akumuluara dhe detyrime të prapambetura ndaj institucioneve publike. Sipas saj, pretendimi se OSHE është një kompani me të ardhura të qëndrueshme është thjesht një fasadë.

Deputetja paraqiti një plan konkret me tri masa që do të ndihmonin qytetarët dhe do të riformësonin sektorin energjetik:

1.Reduktimi ose heqja e TVSH-së për energjinë elektrike, një masë që do të lehtësonte direkt faturat e familjeve.

2.Mbështetje për shtresat më në nevojë, për të përballuar koston e lartë të energjisë.

3.Diversifikimi i burimeve energjetike dhe menaxhim më i mirë i sektorit, për të shmangur klientelizmin dhe investimet e paefektshme.

Tabaku theksoi se masat e qeverisë janë të pamjaftueshme dhe të pakonsultuara me nevojat reale të qytetarëve.

 “Zgjidhjet janë të thjeshta, por kërkojnë vullnet dhe transparencë,” përfundoi ajo.