Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet 2025, ambasadori italian thirrje partive politike: Bëni fushatë bazuar në programe konkrete


Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, u ka bërë thirrje partive politike që të zhvillojnë një fushatë elektorale të fokusuar në programe të qarta dhe konkrete.

Ai theksoi se situata politike në Shqipëri mbetet e tensionuar, duke vlerësuar se është thelbësore që debati të bazohet në fakte dhe programe që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Në një prononcim për median, ambasadori theksoi se Italia do të mbetet një partner i fortë dhe i qëndrueshëm për Shqipërinë, pavarësisht nga qeveritë, dhe ka garantuar mbështetje për synimet e Shqipërisë, veçanërisht për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Për fat të keq, situata politike në Shqipëri mbetet shumë konfliktuale. Zgjedhjet po afrojnë, dhe unë shpresoj që fushata të fokusohet në programe konkrete, sepse qytetarët duhet të kuptojnë se çfarë synojnë partitë politike të bëjnë për përmirësimin e jetës së tyre.

Zgjedhësit duhet të gjykojnë mbi bazën e programeve. Uroj që debati politik të fokusohet te këto çështje, pasi shqiptarët janë të interesuar të dinë se çfarë do të bëjë politika për ta.

Nuk komentojmë ide apo programe specifike. Respektojmë dinamikat politikës së brendshme. I takon politikës shqiptare të vendosë.

Ajo që është e rëndësishme është se Italia do të mbetet një partner themelor i Shqipërisë. Raporti ynë është kaq special që do të ngelet në vite.

Ne do ta mbështesim gjithmonë Shqipërinë pavarësisht nga qeveritë. Ka shumë objektiva të rëndësishme. Hyrja në BE.

Kjo është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Dhe për tema që kanë të bëjnë me jetën e shqiptarëve, të gjithë partitë duhet të punojnë së bashku sepse është interesi i të gjithë shqiptarëve”, ka vijuar ai.