Vendosni fjalën kyçe....

Mediat – Danimarka i dërgon mesazh privat mbi Groenlandën ekipit të Trump-it


Danimarka i ka dërguar një mesazh privat ekipit të Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ku shpreh gatishmërinë për të diskutuar mbi rritjen e sigurisë në Groenlandë apo dhe rritjen e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në këtë territor, njoftoi agjencia amerikane e lajmeve ‘Axios’ të shtunën, duke cituar dy burime.

Zoti Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, ka thënë se kontrolli amerikan mbi Grenlandën, një territor gjysmë-autonom danez, është një “domosdoshmëri absolute”.

Ai nuk ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të mjeteve ushtarake ose ekonomike, përfshirë vendosjen e tarifave kundër Danimarkës, për arritjen e këtij qëllimi.

‘Axios’ tha se qeveria daneze po përpiqet të bindë zotin Trump se shqetësimet e tij të sigurisë mund të trajtohen pa pretenduar Grenlandën.

Një zëdhënës i ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi njoftimin e ‘Axios’.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha në fillim të kësaj jave se kishte kërkuar një takim me zotin Trump, por nuk priste që kjo gjë të ndodhte para inaugurimit të tij më 20 janar.

Kryeministri i Groenlandës Mute Egede tha gjithashtu se ishte gati të boisedonte me zotin Trump, ndërsa kërkoi të respektohen ato që i quajti, aspirata për pavarësi të ishullit.

Zyrtarët danezë kanë thënë më parë se Groenlanda nuk është në shitje./VOA