Ish-deputeti Ervin Salianji ka shpërndarë një mesazh nga qelia ku po vuan dënimin, duke akuzuar qeverinë për abuzim të pushtetit dhe lidhje me krimin.
Ai thekson se qeveria po shkon “e ngrysur” drejt zgjedhjeve të 11 majit, për shkak të pakënaqësisë dhe korrupsionit që ka nxitur te votuesit.
Salianji kritikon kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për të manipuluar realitetin dhe për të mbuluar dështimet e qeverisë me një fasadë të bukur turizmi, ndërsa vazhdon të fshihte lidhjet e qeverisë me krimin.
Ai thekson gjithashtu se opozita është më e gjallë dhe entuziaste, por duhet të përqendrohet në ndihmën e qytetarëve dhe nevojën për garanci për një qeverisje më të mirë.
Salianji thekson se pakënaqësia ndaj qeverisë nuk mjafton për të sjellë ndryshimin dhe se qytetarët kanë nevojë për një besim të ri dhe garanci që do të luftohet korrupsioni dhe krimi.
“Shpallja nga Ministria e Brendshme se janë mbi 3.7 milionë votues për zgjedhjet e ardhshme dhe nisja e punës me listën që zyrtarisht do të afishohet në mars, pas regjistrimit të emigrantëve apo ankesave të ndryshme, është si të thuash nisja dhe nga ana zyrtare dhe burokratike e fushatës.
Nga sa mund të informohemi në burgun e Fierit, dhe asaj që ndjehet në ajër kemi një qeveri e kryeministër që po shkojnë drejt 11 Majit, të ngrysur e pa humor, dhe nga ana tjetër një Opozitë më të çelur, më të gjallëruar më entuziaste.
Fakti që Rama e qeveria duken të ngrysur, të lodhur, por të pangopur për ti vënë kazmën Shqipërisë po punon me kapjen, patronazhimin e votës edhe në diasporë! Turinjtë e varur të qeverisë kanë të bëjnë me konsumin nga pushteti i stërzgjatur, nga mungesa e ideve dhe vizionit.
Kanë të bëjnë me pakënaqësinë e madhe tek njerëzit, prej varfërisë e korrupsionit. Si dhe nga problemet e thella te brendshme mes tyre. E po ashtu, nga një lloj parehatie që vjen prej shqetësimit se ku do të bjere zilja e radhës, në cilën derë abuzuesi a zyrtari të lartë të kapur në afera, a lidhje me krimin.
Duket qartë që Rama nuk ka asgjë tjetër për të thënë përveç “suksesit” me turizmin, që ende nuk dihet sa e ka ndihmuar jetën e qytetarit të zakonshëm.
Ndaj ai kërkon të asociohet me kodra të bukura, me male të thepisura, me lugina e mjegull, apo ndonjë dëborë andej këndej. A thua se ai është krijuesi i kësaj mrekullie. A thua se shqiptaret kanë mendjen e Spiropalit dhe besojnë se skenderbeu i saj ka fuqi mbinatyrore, për të formësuar relieve e dukuri meteorologjike.
Është ironike se si ai i bën jehonë një shkrimi të Bild për turizmin këtu tek ne, dhe kjo del në gjithë ekranet e portalet, ndërsa pak kohë më parë, një artikull i të njëjtës media që fliste për lidhjet e qeverisë me krimin qarkullonte si material i fshehtë, pasi pjesa më e madhe e shtypit nuk e pasqyroi, e aq më pak reagoi qeveria.
Edi Rama po thotë më jepni mandatin e katërt sepse Vabona është mahnitëse, se Palasa ka ujë të kulluar dhe se Ksamili i ngjan Maldiveve.
Duke tentuar me këtë rast të mbulojë me këtë fasadë gjithë zullumin e madh 12 vjeçar, financiar e të lidhjeve me bandat e trafikantët ndërkombëtar të drogës, një prej të cilëve denoncova unë në konferencë për shtyp. Lidhjet e atij që unë denoncova ishin shumë speciale, qe vëllai i Ministrit të Brendshëm. Ky i fundit më së shumti prej lidhjeve me bandat do ofrojë dhe mirëqeverisje në Parlament, ndërsa disa mjerane në gjykatë u vendosën në dispozicion të inatit kryeministror pasi i prisha komoditetin me publikimin me fakte të lidhjeve me krimit e korrupsionin masiv të qeverisë!
Opozita dhe miqtë e mi demokratë nuk kanë asnjë arsye për të kaluar në eufori dhe e di se nuk do ta bëjnë. Pakënaqësia deri në revoltë ndaj qeverisë asnjëherë nuk mjafton për të sjellë ndryshimin. Njerëzit janë të zhgënjyer nga politika dhe duhet punuar shumë për të ndërtuar një besim të ri. Qytetarët kanë nevojë për garanci që i kanë humbur në këto 12 vite.
Unë jam dakord sigurisht që eventet e dhjetorit të kremtohen pasi lidhen me motin e lindjes së forcës tonë politike. Apo edhe te janarit. Por ama nuk jemi në kushtet për të inauguruar e qëndruar gjatë në muzeun tonë, pasi koha nuk pret. Sigurisht këto momente kanë të bëjnë me identitetin dhe tiparet tona ideologjike, e kanë rëndësinë e tyre. Por qytetarët kanë halle të tjera. Dhe çdo ditë larg tyre, do të ishte një ditë e çuar dem.
Ndaj fokusi duhet të jetë i qartë, ekonomia. Dhe garancitë që shqiptarët duan se një qeverisje e keqe, me korrupsion e krim si kjo e 3 mandateve të fundit, s’do të ndodhë.”