Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedia në Korenë e Jugut/ Të dhënat e “kutisë së zezë” mungojnë në minutat para aksidentit


Dy regjistruesit e të dhënave të fluturimit të “kutisë së zezë” në avionin e aksidentuar të Jeju Air, në atë që konsiderohet si katastrofa më e rëndë ajrore në territorin e Koresë së Jugut, ndaluan së regjistruari rreth katër minuta para aksidentit.

Sipas Ministrisë së Transportit të Koresë së Jugut, këto të dhëna mund të jenë vendimtare për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit që ndodhi më 29 dhjetor dhe shkaktoi vdekjen e 179 personave, përcjell Reuters.

Aksidenti ndodhi pas raportimit të një përplasjeje me shpendë nga piloti i avionit Boeing 737-800 të kompanisë Jeju Air, i cili kishte nisur fluturimin nga Bangkoku për në Muan, në jugperëndim të Koresë së Jugut.

Avioni bëri një ulje emergjente me bark dhe doli jashtë pistës së aeroportit, duke u përplasur me një argjinaturë dhe duke shpërthyer në flakë.

Nga aksidenti mbijetuan vetëm dy anëtarë të ekuipazhit, të cilët ndodheshin në pjesën e pasme të avionit. 

Ministria e Transportit raportoi se regjistruesi i zërit në kabinën e pilotëve fillimisht u analizua në Korenë e Jugut, por kur u zbulua mungesa e të dhënave, pajisja u dërgua në laboratorin e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA për analiza të mëtejshme.

Ekspertët po hetojnë arsyet që çuan në ndalimin e regjistrimit të të dhënave, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me energji, një ngjarje e rrallë sipas specialistëve. 

Disa familjarë të viktimave kanë kërkuar përfshirjen e ekspertëve të pavarur në hetim, duke shprehur shqetësime se Ministria e Transportit nuk duhet të ketë kontroll të plotë mbi procesin.

Ndërkohë, hetimet po përqendrohen edhe në argjinaturën ku u përplas avioni, e cila mbështeste një sistem “localiser” për ndihmën e uljes së avionëve. Pyetjet kryesore lidhen me materialin e fortë të argjinaturës dhe vendosjen e saj pranë fundit të pistës. 

Ministria e Transportit ka deklaruar se do të përdoren të gjitha të dhënat e tjera të disponueshme për të zbardhur ngjarjen dhe ka premtuar transparencë të plotë gjatë procesit të hetimit. Përfundimet do të ndahen me familjarët e viktimave për të siguruar që të gjitha palët të jenë të informuara. 

Hetimet mbeten në vazhdim, ndërsa pritet që analiza e të dhënave të mbetura nga regjistruesit dhe faktorëve të tjerë të japin përgjigje për shkaqet e kësaj tragjedie të rëndë.