Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarë, kryesisht çifte të reja, përfitues nga programi i strehimit social në vitet e kaluara, të cilët ndanë eksperiencat e tyre dhe theksuan se subvencionimi i interesit të kredisë së butë u ka ndryshuar jetën.
“Me skemën e re kemi më shumë mundësi: do të japim 1200 kredi të buta nga 1700 aplikime që kemi deri tani. Pra, do të përfitojnë kredi të butë më shumë se 50% e aplikuesve; diçka e paprecedentë, duke qenë se më përpara fitues shpalleshin 10-20% e aplikuesve sepse interesi ishte shumë i madh, por mundësitë më të vogla. Ne hidhnim në treg 300-400 kredi, sot kemi 1200.
Jo vetëm kaq, por çmimet janë të përditësuara, si dhe për herë të parë projektin e kemi hapur përtej familjeve burrë e grua, çift i ri, duke përfshirë familje që mund të ketë kaluar situata shumë të vështira”, shpjegoi ai.
Veliaj u shpreh se sot shumica e qytetarëve të Tiranës janë pronarë të një shtëpie, ndryshe nga kryeqytetet e tjera evropiane, ku bashkitë kanë në pronësi një pjesë të konsiderueshme të pasurive të paluajtshme.
“Kur dëgjoj këta që ulërasin poshtë bashkisë apo nëpër televizione – që e kanë shtëpinë disa herë më të madhe se timen, dhe vilat nuk u numërohen dot me gishtat e njërës dorë, – që arsyetojnë për çmimin e pronave, them mundohet t’ia qajë zengjini hallin fukarait, ndërkohë që, mjafton një logjikë e thjeshtë për të kuptuar se rritja e vlerës së pronës për 90% të qytetarëve që janë pronarë është lajm i mirë sepse rritet ajo që kanë në shtëpi, që është e tyrja. Ndërkohë, për këtë 10% tjetër kemi programe si ky i kredive të buta”, shtoi ai.
Duke u ndalur te disa prej nismave të bashkisë dhe qeverisë, kryebashkiaku Veliaj tha se ky vit do të jetë viti i reformave të rëndësishme dhe të qëndrueshme për qytetin e Tiranës.
“Unë ia kam kushtuar jetën këtij qyteti, dua që këtë vit të kemi reformat më të mëdha të solidaritetit që ka pasur ndonjëherë.
Jam shumë i lumtur që këtu po mbajmë hapin edhe me qeverinë, me rritjen që u bëri e pensioneve, dha bonusin, do të ketë edhe një tjetër në mars. Qeveria bëri uljen e çmimit të energjisë dhe do të vazhdojë të mbështesë shtresat në nevojë.
Edhe bashkia e bëri falas abonenë për pensionistët, ndërsa studentët udhëtojnë falas prej një viti. Po ashtu, u subvencionojmë me 50% koston e konviktit.
Jemi e vetmja bashki në rajonin tonë, e cila e ka falas udhëtimin me autobus për studentët dhe pensionistët. Kjo është politika sociale për të cilën kemi nevojë”, përmbylli Veliaj.