Vendosni fjalën kyçe....

Trump u kërkon vendeve të NATO-s të shpenzojnë 5% të buxhetit për ushtrinë


Varshava po mbështet kërkesën e presidentit të zgjedhur Donald Trump që vendet e NATO-s të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen, edhe nëse do duhen 10 vjet që vonesat e aleancës të arrijnë objektivin, tha ministri polak i Mbrojtjes.

Wladysław Kosiniak-Kamysz i tha Financial Times se vendi i tij “mund të jetë lidhja transatlantike mes kësaj sfide të vendosur nga Presidenti Trump dhe zbatimit të saj në Evropë”. Polonia është anëtarja e parë e NATO-s që është pranë përmbushjes së objektivit të ri, pasi ka caktuar 4.7 për qind të PBB-së për mbrojtjen këtë vit, më e larta në aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja.

Para kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë këtë muaj, Trump ka rritur presionin ndaj anëtarëve të NATO-s për të rritur shpenzimet për ushtrinë e tyre, duke pasur parasysh se vetëm 23 nga 32 anëtarët e saj aktualisht përmbushin objektivin e shpenzimeve prej 2 për qind, me Italinë dhe Spanjën që janë nën këtë prag.

Ministri Kosiniak-Kamysz tha se objektivi i ri ishte “një thirrje e rëndësishme zgjimi” për aleancën.

Arritja e qëllimit të Trump “do marrë një dekadë tjetër, por unë mendoj se ai nuk duhet të kritikohet për vendosjen e një objektivi vërtet ambicioz, sepse përndryshe do ketë vende që do vijojnë të debatojnë nëse nevojiten vërtet më shumë shpenzime”, tha ai.

Pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Polonia dyfishoi shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe porositi miliarda dollarë armë kryesisht amerikane dhe koreano-jugore. Ministri tha se qeveria e tij nuk kishte mundësi tjetër duke pasur parasysh afërsinë e vendit me Rusinë: “Ne kemi blerë shumë armë, por pozicioni ynë në hartë e bën investimin dhe blerjen e pajisjeve thjesht të nevojshme”.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka një afinitet të fortë politik me administratën e ardhshme të Trump, megjithatë është shumë larg objektivit të Trump. Qeveria e saj e pranon nevojën për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen, por është e penguar nga barra e borxhit të vendit dhe nevoja për të frenuar shpenzimet publike. Roma u ka kërkuar kryeqyteteve të BE-së që të përjashtojnë shpenzimet ushtarake nga llogaritjet e deficitit publik, por lutja e saj është kundërshtuar.

Spanja renditet e fundit për sa i përket shpenzimeve të mbrojtjes, pasi ka caktuar 1.28 për qind të PBB-së në vitin 2024, sipas NATO-s. Për të shmangur kritikat, qeveria thekson se ushtria e saj është një kontribues bujar i trupave dhe aseteve në misionet e NATO-s.

Por siguria e kryeministrit Pedro Sánchez se do përmbushë objektivin prej 2 për qind deri në vitin 2029 ka filluar të duket e pamjaftueshme. Gatishmëria e liderit socialist për të bërë premtime më të guximshme është e kufizuar nga prirjet pacifiste të vendit të tij që lindin nga një histori që përfshin një diktaturë ushtarake. Edhe opozita konservatore ngurron të mbështesë shpenzime më të larta.

Varshava dëshiron të përdorë presidencën e rradhës gjashtëmujore të Polonisë të BE-së, e cila filloi më 1 janar, për të bindur vendet anëtare që të shpenzojnë 100 miliardë euro nga buxheti i ardhshëm i përbashkët për mbrojtjen. Bisedimet për buxhetin shtatëvjeçar që fillojnë në vitin 2028 do nisin këtë vit. Komisioni Evropian vitin e kaluar propozoi një program 1.5 miliardë euro për industrinë e mbrojtjes, të cilin Kosiniak-Kamysz e përshkroi si qartësisht të pamjaftueshëm.

“BE-ja ka kapacitetin për të rialokuar paratë,” tha ministri, duke shtuar se ishte “përparësi” e tij për të siguruar që 100 miliardë euro të caktohen për mbrojtjen në vitet e ardhshme, duke përfshirë ridrejtimin e parave të papërdorura nga një fond i përbashkët i rimëkëmbjes pas pandemisë prej 800 miliardë eurosh.

Kosiniak-Kamysz planifikon të prezantojë planet e Polonisë të hënën gjatë një takimi në Varshavë me homologët nga Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe.

“Nëse mund të përballonim të hynim në borxhe për t’u ringritur pas Covid-it, atëherë duhet të gjejmë me siguri paratë për t’u mbrojtur nga lufta,” tha ai.

“E di që kjo nuk është një pikëpamje e përbashkët nga të gjithë, por Polonia ka një mendim tjetër. Duhet të kujtojmë se ka disa vende të mëdha evropiane, mendimi i të cilëve nuk ka qenë gjithmonë i duhuri dhe se në lidhje me Rusinë kanë gabuar”.

Ministri polak i Mbrojtjes Wladysław Kosiniak-Kamysz

Kosiniak-Kamysz përjashtoi mundësinë që Polonia të dërgonte trupa në Ukrainë për të konsoliduar një armëpushim të mundshëm. Trump ka premtuar t’i japë fund luftës së Rusisë, edhe pse kohët e fundit ai shtyu një afat kohor për arritjen e tij nga 24 orë në disa muaj pas marrjes së detyrës.

“Kur të dalë një plan paqeje, ne do ta diskutojmë atë, por shtetet kufitare nuk duhet të shfaqen me trupat e tyre në Ukrainë, sepse mendoj se duhet të ketë ndarje më të madhe të barrës dhe larmishmëri brenda NATO-s”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Estonisë vitin e kaluar i tha FT se një koalicion i gjerë evropian, duke përfshirë Britaninë e Madhe, duhej të përgatitej të dërgonte trupa në Ukrainë për të mbështetur çdo marrëveshje paqeje nga ndërmjetësia e Trump.

Pavarësisht se Polonia është një aleate e vendosur e Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër Rusisë, marrëdhënia e tyre është tensionuar nga ankesat historike, eksportet e lira të fermave ukrainase dhe zhgënjimi në rritje me shtetasit ukrainas që u larguan nga vendi i tyre.

“Sigurisht që ka lodhje në shoqërinë polake dhe është e kuptueshme veçanërisht kur njerëzit këtu shohin të rinj ukrainas duke drejtuar makinat më të fundit ose duke qëndruar në hotele me pesë yje,” tha ai.

Një tjetër pikë fërkimi e kohëve të fundit ishte kundërshtimi i Polonisë për të furnizuar Ukrainën me rezervat e mbetura të avionëve MiG-29, të cilat Varshava tha se i nevojiten ende për sigurinë e saj.

“Nga njëra anë, unë e kuptoj presidentin Zelensky, sepse është roli i tij që të kërkojë gjithmonë ndihmë më të madhe”, tha Kosiniak-Kamysz.

“Por unë mendoj se ai dhe Ukraina duhet të kujtojnë gjithashtu se kur të tjerët dërgonin vetëm helmeta, ne dërguam tanke.”