Me rastin e 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda, mori pjesë sot (13 Janar) në ceremoninë e nderimit të dëshmorëve, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për veprën e efektivëve të rënë në krye të detyrës. I pranishëm ishte edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe familjarë të efektivëve dëshmorë.
Kryepolici vendosi kurorë me lule në Memorialin kushtuar Dëshmorëve të Policisë, në Akademinë e Sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm ka përshëndetur familjarët e dëshmorëve dhe shprehu mirënjohje për veprën e tyre sublime, që theksoi se “është frymëzim për të gjithë brezat”
“Dera e Policisë së Shtetit është gjithmonë e hapur për të gjithë, në veçanti për familjarët e dëshmorëve, të cilët mbrojtën jetën me jetë”, tha ai.
Proda u shpreh se puna e çdo punonjësi policie ‘mbart brenda saj sakrificën e qindra Dëshmorëve, detyrimin e të gjithë atyre që duan dhe zbatojnë ligjin, që të përkrahin Policinë, në luftën e pandërprerë me të keqen dhe krimin’.
Gjatë ceremonisë përkujtimore, në Memorialin e Dëshmorëve të Policisë vendosën lule edhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe familjarë të Dëshmorëve të Policisë, për të nderuar kujtimin e tyre.