Vendosni fjalën kyçe....

Dëbora dhe ngricat bllokojnë fshatrat, ARRSH: Përdorni goma dimërore ose zinxhirë


Për shkak të reshjeve të dëborës dhe ngricave, situata e motit ka sjellë vështirësi të mëdha për lëvizjen e mjeteve dhe jetesën e qytetarëve në shumë zona të Shqipërisë.

Në rrethin e Bulqizës, rrugët nacionale, si ato që lidhin Bulqizën me Tiranën dhe Peshkopinë, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa shumë fshatra në njësitë administrative Ostren, Trebisht, Zerqan, Martanesh dhe Shupenz janë të bllokuar.

Temperatura të ulëta kanë bërë që trashësia e dëborës në qytet të arrijë deri në 40 centimetra, ndërsa në zonat e thella të shkojë deri në 70 cm. Si pasojë, mësimi është pezulluar dhe shumë biznese kanë mbyllur dyert.

Në Elbasan, dëbora ka krijuar probleme në tre njësitë administrative të Labinot Mal, Funar dhe Graçen, ku trashësia e dëborës arrin deri në 20 cm.

Në disa segmente të rrugës Griqan-Qendër, erërat kanë grumbulluar borën duke e shtuar trashësinë deri në 1 metër. Pavarësisht punës së vazhdueshme për hapjen e akseve, disa rrugë janë ende të bllokuara dhe ka probleme me furnizimin me energji elektrike.

Në Gramsh, bora ka mbuluar fshatrat e njësive administrative Lenie, Kukur dhe Poroçan, ndërsa disa aksione rrugore janë pastruar, por problemet me ngricat kanë ndikuar në lëvizjen e mjeteve. Linjat e autobusëve janë pezulluar dhe disa fshatra janë pa energji elektrike.

Në Përrenjas dhe Librazhd, aksesi ka qenë i vështirë për shkak të dëborës dhe ngricave. Aksi Përrenjas-Qafë Thanë është kalueshëm me vështirësi, ndërsa aksesi Librazhd-Peshkopi ka pasur trashësi dëbore mbi 50 cm dhe ka qenë thuajse i pakalueshëm. Temperaturat kanë arritur deri në -7°C, ndërsa disa fshatra kanë mbetur të bllokuar.

Vijon të mbetet e njëjtë situata në Qarkun e Dibrës. Në orët e para të mëngjesit intensiteti i reshjeve të borës është dobësuar.

Trashësia në qytetin e Peshkopisë  kalon 35 cm, ndërsa në zonat e thella arrin në 70 cm.

Ndërprerja e reshjeve u ka dhënë mundësi kompanive kontraktore të avancojnë me hapjen dhe kriposjen e rrugëve.

Vijon të mbetet i mbyllur bypass-i i Murrizit, janë 3 mjete borëpastruese që po punojnë për hapjen dhe kriposjen, me gjasë për tu hapur në orët e mesditës.

Aksi Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm, ndërsa në aksin Peshkopi-Kukës kalimi bëhet pjesërisht me zinxhirë, ka probleme në Vasie për shkak të erës së fortë. Po ashtu edhe aksi Peshkopi-Librazhd është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Në Kukës, dëbora dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve dhe janë bllokuar disa fshatra të njësive administrative të zonave të thella. Po ashtu, mungesa e energjisë elektrike është një tjetër problem që ka përfshirë këto zona.

Moti i keq me reshje bore, shoqëruar me temperatura të ulëta dhe erë të fortë, në zonat veriore dhe juglindore ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se të gjitha segmentet rrugore nacionale janë të hapura dhe të qarkullueshme, por rekomandon që në akset me prezencë bore të përdoren gomat dimërore ose zinxhirët.

Postimi i plotë:

Gjatë natës kanë vijuar reshjet e dëborës në zonën veriore dhe juglindore, shoqëruar me rënie të temperaturës dhe erë
Grupet e punës me mjetet borëpastruar kanë vijuar pa ndërprerje me pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat
Të gjitha segmentet rrugore nacionale janë të hapura dhe të qarkullueshme, në akset me prezencë dëbore rekomandohet përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve
Në akset: Vaudejes- Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash vazhdojnë reshjet e dëborës, në Qafë Mali trashësia e dëborës arrin deri në 50 cm, në Skurraj-Peshkopi në Kukës-Ura e Zapodit, Kukës-Krumë-Kam, Kukës-Bushtricë, Kuben-Vasije, Ura Fanit-Shpal, Shpal-Ura e Repsit ka pasur reshje dëbore të shoqëruar me erë që grumbullojne borë rekomandohen goma dimërore ose zinxhirë.
Në Rajonin Qendror në rrugën e Dajtit ka pasur reshje dëbore rekomandohen goma dimërore ose zinxhirë në Qafë Prisk-Qafë Mollë-Bizë, në km e fundit të rrugës Librazhd-Steblevë.
Në rajonin e Korçës ka pasur reshje dëbore në Qafë Thanë, Qafë Plloçë, në Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë- Leskovik, borepastrueset ndodhen në terren, rekomandohet përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirë, pasi mjetet me goma verore, krijojnë problematikë në qarkullimin e mjeteve, bllokojnë rrugën dhe kthehen në pengesë edhe për borëpastrueset.